Telegrafi

Nainggolan refuzon dy oferta fitimprurëse

Radja Nainggolan (Foto: Emilio Andreoli/Getty Images/Guliver)

Radja Nainggolan ka refuzuar transferimet fitimprurëse në Kinë dhe tek skuadra turke Galatasaray, pavarësisht se është thënë se ai nuk është në planet e Interit.

Drejtori i Interit, Beppe Marotta dhe trajner Antonio Conte konfirmuan në fundjavë se Mauro Icardi dhe Nainggolan nuk janë në planet e klubit Nerazzurr.

Megjithatë, edhe përkundër kësaj mesfushori belg ka refuzuar disa propozime të mëdha për t’u larguar nga Interi.

Lexo po ashtu Marotta: Icardi dhe Nainggolan nuk janë në planet e Interit, ua kemi konfirmuar se janë në shitje

Sipas mediumit FCInterNews, Nainggolan ka marrë propozime me paga të larta nga Jiangsu Suning dhe Galatasaray, të cilat janë të interesuara në huazimin e tij me të drejtë blerje.

Nainggolan është në treg nga drejtuesit e Interit (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Por, ai nuk e ka ndërmend të bëjë këto transferime, madje as edhe përkohësisht shton mediumi i afër me klubin italian.

Interi nënshkroi me Nainggolan një vit më parë nga Roma për 38 milionë euro plus bonuse, por ka dështuar të bind drejtuesit e klubit nga Giuseppe Meazza. /Telegrafi/