Telegrafi

Mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve në veri, KQZ pret vendimin e presidentes

Foto: Arkiv

Dorëheqja e kryetarëve të katër komunave veriore, ka krijuar momentum për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, mandati i çdo kryetari të komunës merr fund me dorëheqjen e tij.

Lidhur me shpalljen e mundshme të zgjedhjeve në këto komuna, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se do të pres vendimin e presidentes Vjosa Osmani.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga ana e presidentes së Republikës së Kosovës. KQZ-ja pret shpalljen e zgjedhjeve para se të fillojë me përgatitjet intensive të tyre”, tha Elezi.

I pyetur se a ka buxhet të mjaftueshëm KQZ-ja për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Elezi tha se aktualisht nuk kanë buxhet për organizimin e tyre, por se në rast nevoje do t’i drejtohen Qeverisë.

“Sa i përket çështjes së buxhetit, këto janë zgjedhje të paplanifikuara çka do të thotë KQZ nuk ka buxhet aktualisht për organizimin e tyre por sikurse edhe në të kaluarën, në raste të tilla kur kemi zgjedhje të planifikuara KQZ-ja përgatit një shkresë pra një kërkesë buxhetore të cilën e përcjellë në për Qeverinë e Kosovës ku parashihen mjetet e nevojshme të cilat duhet t’i ketë KQZ për të organizuar një proces zgjedhor”, tha ai.

Të shtunën më 5 nëntor 2022, Lista Serbe njoftoi për largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Paralajmërimet e Listës Serbe për largim nga institucionet e Kosovës kanë ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

Duhet kujtuar se nuk është hera e parë që kryetarët e komunave veriore japin dorëheqje nga pozita e tyre.

Ata një gjë të tillë e kishin bërë edhe në dhjetor të vitit 2018, si reagim ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat me origjinë nga Serbia. /Telegrafi/