Telegrafi

Majlinda Kelmendi rikthehet në Kosovë: Shumë e lumtur me medaljen e artë

Majlinda Kelmendi së bashku me Driton Kukën dhe pjesën tjetër të përfaqësueses së Kosovës janë rikthyer në Kosovë.

Xhudistja pejane e ka fituar medaljen e artë në Lojërat e dyta Evropiane që po mbahen në Minks të Bjellorusisë, derisa Gjakova dhe Loriana Kuka, morën medaljen e argjendtë, respektivisht të bronztë.

Kelmendi është shprehur shumë e lumtur për paraqitjen e saj, por duke thënë se ishte hera e parë që merr pjesë në lojërat evropiane dhe ka arritur ta zë vendin e parë.

“Jam mjaft e lumtur. Është një medalje e cila më ka munguar. Më gëzon jashtëzakonisht fakti se jam bërë e para në këtë garë. Nuk kam garuar gjatë në kampionat, ky fakt e rrit vetëbesimin tim. Jam gati ta vazhdoj karrierën aty ku e kam nisur”, deklaroi fillimisht sportistja më e madhe kosovare me të mbërritur në aeroportin “Adem Jashari”.

Lexo po ashtu Rikthimi i Majlindës si e artë: Lufta, sakrifica dhe mundi për t'u shpallur si më e mira e xhudos në botë

“Kam qenë jashtë garave për 14 muaj, ishte një periudhë e vështirë. Lëndimi është pjesa më e vështirë e sportistit. Fatmirësisht jam rikthyer shumë mirë, në secilën garë kam marrë medalje. Kjo po tregon se jam kthyer në formën që kam qenë”, ka thënë tutje Kelmendi.

Kosova po garon në “Minsk 2019” me 12 garues, prej tyre 5 nga xhudoja, të cilës ia sollën 3 medalje vendit tonë. /Telegrafi/