Site icon Telegrafi

Miratimi në parim i Projektbuxhetit, prezantimi i Strategjisë së Energjisë dhe nisja e hetimeve për importin e ëmbëlsirave dhe biskotave nga Serbia – disa nga ngjarjet kryesore të javës në ekonomi

Miratimi në parim i Projektbuxhetit për vitin 2020 nga Komisioni për Financa dhe Transfere, po ashtu prezantimi i Strategjisë për Energji 2022-2031 dhe nisja e hetimeve nga Ministria e Tregtisë për importin e ëmbëlsirave dhe biskotave nga Serbia, ishin disa nga ngjarjet kryesore që e karakterizuan këtë javë në ekonomi.

Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin e vitit 2020. Ministri i Financave, Hekuran Murati gjatë prezantimit të Projektbuxhetit ka thënë se parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro.

Murati është shprehur se përveç rritjes së buxhetit për disa dikastere, është paraparë vazhdimi i Programit të Ringjalljes Ekonomike përkundër faktit që deri diku ekonomia është rikoperuar.

“Ky Projektligj parasheh mbi 2 miliardë euro si shpenzime kurse të hyra janë mbi 2 miliardë euro. Kemi një ngadalësim lidhur më deficitin. Risi në këtë Projektligj parashihen përveç rritjes në disa dikastere ka edhe vazhdimin e ringjalljes ekonomike”, është shprehur Murati.

Në anën tjetër opozita ka pasur kritika për Projektbuxhetin, për çka kanë thënë se nuk është zhvillimor.

Lexo po ashtu Miratohet në parim Projektbuxheti i 2022-së, opozita e konsideron jo zhvillimor dhe pa vizion

Nënkryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka pasur vërejtje për Projektbuxhetin, të cilin e quajti jo zhvillimor dhe pa vizion. Lushtaku po ashtu ka ngritur edhe çështjen e rritjes së borxhit publik dhe manipulimit siç ka theksuar ai me shifra për rritje ekonomike.

“Ky Projektligj le shumë për të dëshiruar. Ka disa lëshime teknike. Qeveria thotë se ka ma pak ministri, por ju në tabela keni figura edhe ministritë që s’janë funksionale”, ka thënë Lushtaku.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë prezantimit të Strategjisë së Energjisë 2022-2031 ka thënë se me këtë pritet të ofrohet siguri në furnizim si për amvisëritë dhe për bizneset.

Kurti është shprehur se kjo do të ofrojë zhvillim dhe punësim të qëndrueshëm në vend.

“Strategjia e Energjisë 2022-2031 është e para në Kosovë është duke u hartuar përmes proceseve demokratike e transparente e për këtë kemi marr përsipër detyrën për identifikimin e planeve të veprimit në mënyrë që plani ynë të niset drejt dhe të divesifikoj miksin e energjisë. Do të ruaj sigurinë e furnizimit dhe do të promovoj bashkëpunimin rajonal, së pari me Shqipërinë e pastaj për vendet tjera. Kjo strategji do të ketë objektiva mjaftë ambicioze, drejt energjisë së pastër dhe drejt dekarbonizimit e do të përfshijë praktikat më të mira nga Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, është shprehur Kurti.

Lexo po ashtu Kurti: Strategjia e Energjisë do të ofrojë siguri të furnizimit për amvisëritë dhe bizneset

Po ashtu, për mos pagesën e rrymës në veri, Kurti ka thënë se fajin e kanë strukturat paralele.

“Për sa i përket mos pagesës së rrymë në veri, fajin e kanë strukturat paralele atje, sepse që sa më shumë të ka struktura paralele të Serbisë në këto vite, pas çlirimit e pas pavarësisë, aq më pak ka ligjshmëri. Licencimi i kompanisë është kompetencë Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe ata do ta bëjnë vendimin për këtë”, është shprehur Kurti.

Ai kë thënë se për çështjen e energjisë në veri duhet të bisedohet me Brukselin e jo me Beogradin.

“Për çështjen e energjisë në veri, ne mund të bisedojmë me Brukselin e jo me Beogradin, kjo është një çështje e Kosovës. Duke e ditur se Bashkimi Evropian ka qenë i impenjuar në këtë temë, me ta mund të bisedojmë. Prandaj, nëse kjo temë ngritët atje, atëherë ngritët në raportin Prishtinë – Bruksel, e jo me raportin Prishtinë – Beograd”, ka theksuar ai.

Lexo po ashtu Mos pagesa e rrymës në veri, Kurti: Fajin e kanë strukturat paralele

Gjatë kësaj jave, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se është marrë vendim për hapjen e hetimeve zyrtare për importin e produkteve të ëmbëlsirave dhe biskotave.

Sipas tyre këto produkte, të importuara nga Serbia po u shkaktojnë dëm serioz prodhuesve vendor.

“Kemi vërejtur që së fundi ka një import të shtuar nga tregu i Serbisë dhe kryesisht janë rritje të disa produkteve konditorike. Ne kemi marr vendimin për hapjen e hetimeve për importin e produkteve konditorike, ëmbëlsirave dhe biskotave, të importuara nga Serbia”, ka thënë ministrja Rozeta Hajdari.

“Ky vendim vjen pas vendimit të Departamentit të Tregtisë dhe rekomandimeve nga Komisioni për Vlerësimin e Masave për Importe. Në bazë të analizave preliminare, produktet e importuara nga ky shtet janë rritur në sasi të rritur dhe në kushte të tilla po shkaktojnë ose kërcënojnë t’i shkaktojnë dëm serioz prodhuesve vendës”, ka përfunduar ajo.

Lexo po ashtu Ministria e Tregtisë merr vendim për fillimin e hetimeve për importin e ëmbëlsirave dhe biskotave nga Serbia

Për sa i përket lajmeve ndërkombëtare, presidenti amerikan Joe Biden ka nënshkruar Pakon Sociale prej 1 trilion dollarësh, për mbështetur tejkalimin e vështirësive në infrastrukturë.

Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Biden ka deklaruar se ky infuzion financiar për rrugë, ura dhe porte do të ndryshoj për të mirë jetën e popullit amerikan.

Mirëpo, pas këtij nënshkrimi, ai pritet t’i kthehet negociatave mbi pakon më të gjerë sociale prej 1.85 trilion dollarësh.

Lexo po ashtu Një trilion dollarë në infrastrukturë, çfarë përmban Pakoja Sociale e nënshkruar nga Joe Biden?

Gjithashtu, gjatë kësaj jave Gjermania ka suspenduar certifikimin e gazsjellësit rus “Nord Stream II”.

Lidhur me këtë projekt, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken kishte thënë se ky tubacion binte ndesh me interesat e vetë Bashkimit Evropian.

“Presidenti Biden ka qenë shumë i qartë, ai beson se tubacioni është një ide e keqe, e keqe për Evropën, e keqe për Shtetet e Bashkuara, në fund të fundit është në kundërshtim me qëllimet e BE-së për sigurinë”, kishte thënë Blinken.

Po ashtu, Komisioni Evropian ka shqyrtuar ankesat e disa vendeve të Bashkimit Evropian se Rusia po përdor pozicionin në treg për të nxitur rritjen e çmimeve të gazit në rajon. /Telegrafi/

Exit mobile version