Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka shpjeguar pse nuk është përfshirë Joao Cancelo në ndeshjen e Community Shield kundër Arsenalit.
Kampioni i Anglisë humbi në penallti nga Topçinjtë në Wembley, ndërsa mbrojtësi portugez nuk ishte pjesë e skuadrës, edhe pse kishte luajtur në ndeshjet përgatitore pas rikthimit nga Bayern Munichu.
Cancelo e kaloi gjysmën e dytë të sezonit të kaluar në Allianz Arena, për shkak të – siç ishte thënë – raporteve jo të mira me strategun spanjoll.
29-vjeçari dëshiron të largohet dhe Citizens duan ta shesin, ndërsa ai tashmë ka marrëveshje për kushtet personale me Barcelonën.
Megjithatë, pas ndeshjes në Wembley, Guardiola mohoi se mungesa e lojtarit ishte për shkak të ndonjë transferimi të afërt.
“Ai (Cancelo) u desh të shkonte në shtëpi në Portugali, për të zgjidhur diçka me familjen e tij”, ka thënë trajneri i Cityt. /Telegrafi/