Telegrafi

Ukrainasja Marta Kostyuk bëri atë që kishte premtuar, nuk ia dha dorën kundërshtares ruse pasi e mposhti në ATX Open

(Foto: Twitter/WTA)

Tenistja ukrainase, Marta Kostyuk, ka refuzuar t’i shtrëngonte duart me kundërshtaren e saj ruse, Varvara Gracheva, pasi fitoi në finalen e ATX Open në Austin të Teksasit

Ajo fitoi me rezultat 2-0 në sete (6-3 7-5) duke u shtrirë në fushë pas triumfit, përpara se të refuzonte t’ia jepte dorën rivales së saj.

20-vjeçarja, e cila është nga Kievi, kishte thënë gjatë Australian Open se nuk do t’i shtrëngonte duart me asnjë kundërshtare ruse apo bjelloruse, si pasojë e agresionit ndaj vendit të saj. Ajo kishte refuzuar t’ia jepte dorën Victoria Azarenkas së Bjellorusisë në US Open në shtator të vitit të kaluar.

Kostyuk ia kushtoi titullin e parë WTA vendit të saj të lindjes gjatë prezantimit të trofeut.

“Duke qenë në pozicionin në të cilin jam tani, është jashtëzakonisht e veçantë ta fitosh këtë titull. Dhe dua t’ia kushtoj këtë titull Ukrainës dhe të gjithë njerëzve që po luftojnë dhe po vdesin tani”, është shprehur tenistja.

Lexo po ashtu Tenistja ukrainase refuzon t’u jep dorën ruseve dhe bjelloruseve

Pas fitores në këtë turne që është i pari për një ukrainase që nga viti 2021 kur e fitoi Elina Svitolina, Kostyuk është ngritur në vendin e 40-të në renditjen WTA.

Në mesin e turneve ‘Grand Slam’, vetëm Wimbledoni i ka ndaluar lojtarët rusë dhe bjellorusë të konkurrojnë. Tenistët rusë dhe bjellorusë u lejuan të luanin në Australian Open këtë vit pa shfaqur flamurin ose shtetin e tyre. /Telegrafi/