E hëna e 27 shkurtit 2023, ishte rezervuar për takimin ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe në Bruksel, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u ulën sërish përballë njëri-tjetrit për të diskutuar për arritjen e një marrëveshje të mundshme për normalizim të raporteve mes dy vendeve.
Në tryezën e bisedimeve ishte propozimi i BE-së, i titulluar “Marrëveshje drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Pas përfundimit të takimit, Përfaqësuesi Lartë i Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se palët shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar me zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“Nevojiten negociata të mëtejshme për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit të dispozitave”, tha Borrell, duke paralajmëruar takimin e radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars.
Propozim-marrëveshja që u bë publike pas takimit, përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
Marrëveshjet e deritashme përfshijnë edhe atë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, e cila është arritur në vitin 2013, por nuk është zbatuar kurrë.
Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa Vuçiq insiston në themelimin e tij.
Përpara takimit të përbashkët, Kurti dhe Vuçiq u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë, si dhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Escobar tha shkurtimisht për Kanalin 10 të Kosovës se “mbetet ende punë për t’u bërë”.
Propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, i cili i është dorëzuar Kosovës dhe Serbisë qysh në fund të verës, është përkrahur nga Shtetet e Bashkuara.
Kurti: Jemi në rrugë të mbarë drejt normalizimit të marrëdhënieve
Pas përfundimit të takimit, kryeministri Albin Kurti para gazetarëve konfirmoi se palët kanë rënë dakord për përmbajtjen e propozimit evropian.
“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm”, tha Kurti.
Kurti thotë se do të ketë takime të nivelit të lartë nga mesi i muajit mars me ndërmjetësimin e bashkimit evropian.
“Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, deklaroi Kurti.
“Unë nuk kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte i gatshëm për të nënshkruar. Unë mendoj që është dëm që nuk është nënshkruar sonte, meqenëse u pajtuam”, shtoi ai.
Sa i përket gatishmërisë së tij për të zbatuar Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti tha se për këtë ka folur më herët.
Vuçiq: Kurti nuk ishte i gatshëm ta pranojë Asociacionin, ishte takim i vështirë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Bruksel tha se takimi me Kurtin ka qenë “i vështirë”. Ai tha se nuk u fol për miratimin ose mosmiratimin e propozimit të BE-së, por “për krijimin e planit të zbatimit”.
“Kemi patur një takim të vështirë, do të kemi akoma tjerë. Do të duhej të takoheshim në territorin e Maqedonisë së Veriut, kur Borrell do ta vizitojë rajonin tonë”, tha presidenti serb.
Ai shtoi se kryeministri i Kosovës, nuk ishte i gatshëm të pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke theksuar se “nuk e di nëse do të pranojë edhe në të ardhmen”.
Opozita: Kosova humbi njohjen fitoi Asociacionin
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar për takimin e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Krasniqi konsideron se Kosova humbi njohjen dhe fitoi Asociacionin.
“Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin”.
Ai tha se tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës theksuan se u vërtetuan shqetësimet e shprehura deri më tani nga ky subjekt.
“Nga deklarimi i kryeministrit mbi këtë marrëveshje tashmë të dakorduar, por ende të paprezantuar në Kuvendin e Kosovës, u vërtetuan brengat e LDK-së, të bëra tashmë publike”.
LDK thotë se kjo marrëveshje nuk është finale dhe nuk e përmban njohjen e ndërsjellë.
“Për më tepër ajo mban ambiguitet interpretues mbi statusin politik të dy shteteve”.
“Gjithçka përveç njohjes – ishte qëllimi i Serbisë. Gjithçka përveç njohjes ka kjo marrëveshje sot, tashmë e pranuar nga palët”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Por ndryshe nga PDK dhe LDK, mendon kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj. Haradinaj ka përshëndetur arritjen e dakordimit në Bruksel për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ai thotë se kjo është një e arritur e madhe.
“Pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe”.
Haradinaj ka përmendur të mirat që i vijnë Kosovës pas kësaj marrëveshjeje.
“Marrëveshja është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës, e cila i rikthehet normalitetit politik e të sigurisë, perspektivës integruese euro-atlantike e njohjeve te reja”.
I pari i AAK-së shpreson se do të gjenden zgjidhjet më të mira edhe për temat e mbetura të hapura në dialog.
Bashkimi Evropian e ka publikuar të plotë Propozimin Evropian për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Propozimi përmban gjithsej 11 nene. Ky propozim, mes tjerash, përfshin edhe njohjen reciproke të dokumenteve të të dyja vendeve dhe të simboleve kombëtare – mes tyre: pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.
“Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës”, thuhet në propozim-marrëveshje.
Dokumenti nuk e parasheh njohjen e ndërsjellë Kosovë-Serbi, por thotë se Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare. /Telegrafi/