Site icon Telegrafi

Marrëveshja për targat, deklarata e ambasadorit amerikan dhe vrasja e rëndë në Prishtinë – top lajmet e javës

Gjatë javës po lëmë pas temë diskutimi në vend ishte situata e sigurisë dhe çështja e targave ilegale. Vetëm disa orë para se të niste shqiptimi i gjobave për ngasësit e veturave me targa ilegale, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel.

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat, ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili theksoi se e vlerësojnë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

Po gjatë javës që po lëmë pas, saktësisht të premten e 25 nëntorit vendi u trondit nga një vrasje në Prishtinë, ku një 63 vjeçare u qëllua për vdekje me sëpatë nga bashkëshorti i saj.

Kosova dhe Serbia në momentet e fundit arrijnë marrëveshje për targat

Të mërkurën mbrëma përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë gjatë një takimi në Bruksel kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave ilegale.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, nën lehtësimin e BE-së, kanë rënë dakord për masat, për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për t’u përqendruar plotësisht në propozimin për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.

“Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve”, tha ai, duken shtuar se palët në ditët në vijim të diskutojnë për hapat e ardhshëm të dialogut.

Takimi në Bruksel ndërmjet përfaqësuesit të Kosovës dhe Serbisë

“E falënderoj përfaqësuesin special Miroslav Lajçak palët për punën e palodhur”, u shpreh Borrell.

Ndërkaq, ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, ka thënë se pas shumë orë bisedimesh, Kosova ka arritur objektivin e saj.

“Pas orëve të gjata, arritëm objektivin tonë: Kemi një marrëveshje! Tani mund të fillojnë bisedimet intensive për normalizimin e plotë”, shkroi Bajrami në Twitter.

Ndryshe, takimi në Bruksel është zhvilluar vetëm dy ditë pas një takimi që ka rezultuar pa marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me çështjen e targave.

Ambasadori Hovenier: Vlerësojmë qasjen konstruktive, marrëveshja avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat  ka reaguar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ambasadori amerikan ka thënë se e vlerësojnë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Vlerësojmë qasjen konstruktive dhe fleksibilitetin që rezultoi në këtë marrëveshje të rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja rrit sigurinë dhe avancon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve”, shkruante Hovenier.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti është pyetur se a janë duke u përfshirë në mënyrë direkte Shtetet e Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut për të gjetur një zgjidhje, ndërsa tha se SHBA-të po bëjnë përpjekje maksimale dhe se janë në kontakt me Brukselin, transmeton Telegrafi.

“SHBA-ja dhe sidomos ambasadori Hovenier janë shumë të përkushtuar dhe të angazhuar në dialog. Roli i ambasadorit është gjithmonë konstruktiv, pozitiv, kreativ. Ai po bën përpjekjet maksimale, pra SHBA dhe sidomos ambasadori janë në kontakt me Brukselin”, ishte shprehur Kurti.

Vrasja e rëndë në Prishtinë, dyshohet se 70 vjeçari vrau gruan me sëpatë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e mëngjesit të së premtes ka ndodhur në vrasje e rëndë, ku dyshohet se burri ka vrarë gruan.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se vrasja dyshohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00, ndërsa rreth orës 04:40 kanë pranuar informatën për një trup të pa jetë në një shtëpi në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

E Prokuroria ka dhënë detaje për vrasjen në Prishtinë, duke njoftuar se rreth orës 04:40 të së premtes në Stacionin Policor Qendra është paraqitur personi i lartcekur, i cili dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S.G. (1959), me një mjet të mprehtë (sëpatë), në shtëpinë e tyre, në rrugën “Mark Isaku” në Prishtinë.

“Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pajetë.

Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

63 vjeçarja ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë, ndërsa  kolegët e saj dhe nga fqinjët kanë thënë se nuk kanë vërejtur ndonjë shqetësim tek ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version