Site icon Telegrafi

Marotta: Can brenda 10 ditësh, Icardi vetëm thashetheme

(Foto: Getty Images)

Drejtori gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta, shpreson që të arrijë marrëveshje me Emre Canin brenda dhjetë ditësh, ndërsa i ka quajtur vetëm thashetheme njoftimet për interesimin e Zonjës së Vjetër për Mauro Icardin.

Bianconerët e kanë transferuar Mattia Perinin këtë verë, ndërsa Can pritet të transferohet si lojtar i lirë nga Liverpooli.

Emre Can (Foto: Getty Images)

“Jemi optimistë në lidhje me Emre Can. Mund të themi se i kemi filluar bisedimet me përfaqësuesit e tij dhe po shkojnë mirë.

“Shpresojmë që të arrijmë marrëveshje brenda dhjetë ditësh”, është shprehur drejtori i Juves gjatë një evenimenti në Milano.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Juventusin

Një nga spekulimet më të mëdha në këtë afat kalimtar në Itali është mundësia e shitjes së Gonzalo Higuainit nga Bianconerët dhe blerja e kapitenit të Interit, Mauro Icardi.

Mauro Icardi (Foto: Getty Images)

“Lojtarët e Juventusit konsiderohen të pashitshëm deri në momentin kur kërkojnë vet të shiten. Në rastin e Higuainit, edhe pse ndodhet në Kampionatin Botëror, nuk kemi marrë ndonjë kërkesë të tillë”.

“Icardi është një sugjerim. Natyrisht se po flasim për një lojtar të shkëlqyer, një lojtar që i përket Interit, ndërsa ka lajme se ne e kemi kontaktuar”.

“Të gjitha janë të pavërteta në saje të fantazisë, fantazi futbollistike”, ka deklaruar Marotta. /Telegrafi/

Exit mobile version