Telegrafi

Macron po punon fshehurazi me Kinën për një plan sekret të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron dyshohet se po punon për një plan sekret me homologun kinez, Xi Jinping rreth përfundimit të luftës ukrainase-ruse.

Plani raportohet se do t’i sjell Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e negociatave që në fillim të kësaj vere, mëson bloomberg.

Sipas “njerëzve të njohur me planet”, presidenti francez ka ngarkuar këshilltarin e tij për politikën e jashtme, Emmanuel Bonne që të bashkëpunojë me shefin e politikës së jashtme kineze, Wang Yi për të hartuar një “kornizë” që mund të përdoret si pikënisje për negociatat e ardhshme midis Moskës dhe Kievit, raporton skynews.

Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Macron u kthye nga një udhëtim i diskutueshëm në Kinë, gjatë të cilit presidenti francez i tha homologut kinez, Xi Jinping se ai “po llogarit” te Kina në “këndelljen e Rusisë” dhe t’i japë fund luftës.

Lexo po ashtu Stoltenberg nga Kievi: Ukraina e meriton të jetë pjesë e NATO-s

Në udhëtimin në Pekin, Macroni ndezi polemika duke thënë se Evropa nuk duhet të ndjekë automatikisht politikën e SHBA-së për Tajvanin dhe duhet të shmangë “krizat që nuk janë tonat”.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta material. /Telegrafi/