Presidenti francez, Emmanuel Macron dyshohet se po punon për një plan sekret me homologun kinez, Xi Jinping rreth përfundimit të luftës ukrainase-ruse.
Plani raportohet se do t’i sjell Ukrainën dhe Rusinë në tryezën e negociatave që në fillim të kësaj vere, mëson bloomberg.
Sipas “njerëzve të njohur me planet”, presidenti francez ka ngarkuar këshilltarin e tij për politikën e jashtme, Emmanuel Bonne që të bashkëpunojë me shefin e politikës së jashtme kineze, Wang Yi për të hartuar një “kornizë” që mund të përdoret si pikënisje për negociatat e ardhshme midis Moskës dhe Kievit, raporton skynews.
Kjo vjen vetëm disa ditë pasi Macron u kthye nga një udhëtim i diskutueshëm në Kinë, gjatë të cilit presidenti francez i tha homologut kinez, Xi Jinping se ai “po llogarit” te Kina në “këndelljen e Rusisë” dhe t’i japë fund luftës.
Në udhëtimin në Pekin, Macroni ndezi polemika duke thënë se Evropa nuk duhet të ndjekë automatikisht politikën e SHBA-së për Tajvanin dhe duhet të shmangë “krizat që nuk janë tonat”.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e pajustifikueshëm të shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit të kaluar duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta material. /Telegrafi/