Liverpooli ka fituar Ligën e Kampionëve për edicionin 2018/19.
Skuadra e Jurgen Klopp në finalen e madhe të Madridit arriti ta mposht rivalin anglez Tottenham Hotspur 2-0.
Për The Reds kjo ishte hera e gjashtë që e fitojnë Ligën e Kampionëve, ndërsa kontribut të madh ka dhënë edhe Xherdan Shaqiri këtë edicion.
Gjilanasi ka zhvilluar katër ndeshje këtë edicion në Ligën e Kampionëve, ku ka asistuar në dy gola shumë të rëndësishëm, ndaj Crvena Zvedës në fazën e grupeve si dhe ndaj Barcelonës në gjysmëfinale.
Me triumfin e mbrëmshëm Shaqiri e ka shtuar një tjetër trofe në koleksionin e tij.
Gjilanasi është bindshëm futbollisti më i trofeshëm i Liverpoolit, pasi gjatë karrierës së tij ka fituar plot 15 trofe të ndryshëm.
Për Xherdanin mbrëmë ishte hera e dytë që e fitoi Ligën e Kampionëve, pasi një gjë të tillë më parë e kishte bërë edhe me Bayernin në sezonin 2012/13. Vetëm Sturridge është futbollisti tjetër nga The Reds që e ka fituar dy herë Ligën e Kampionëve.
27-vjeçari nga Gjilani ka fituar tri herë Bundesligan, dy herë Kupën e Gjermanisë, një Superkupë të Evropës, një Kupë të Botës për klube si dhe një Superkupë të Gjermanisë.
Trofetë e tjerë të Shaqirit janë edhe tri herë si kampion i Zvicrës me Baselin dhe dy herë të tjera si fitues i Kupës zvicerane.
Futbollisti i dytë më i trofeshëm te Liverpooli është Alex Oxlade Chamberlain me shtatë trofe të fituar në karrierën e tij, ku tri herë ka triumfuar në Kupën FA dhe tri herë të tjera në Superkupën e Anglisë para se ta fitonte Ligën e Kampionëve mbrëmë me Liverpoolin.
James Milner me gjashtë trofe ndodhet në pozitën e tretë sa i përket lojtarëve me trofe të fituar.
33-vjeçari ka fituar dy herë Ligën Premier, një Kupë FA, një Carling Cup, një Superkupë të Anglisë dhe mbrëmë Ligën e Kampionëve.
Ndërkohë me nga pesë trofe janë yjet tjerë të The Reds si Mohamed Salah, Sadio Mane, Georgino Wijnaldum, Virgil Van Dijk, Dejan Lovren dhe Daniel Sturridge. /Telegrafi/