Lionel Messi fitoi Topin e Artë të vitit 2021 për meshkuj të hënën në mbrëmje.
Rezultati ka bërë bujë, me shumë emra të mëdhenj të botës së futbollit që mendojnë se ai nuk e meritonte.
Mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos beson se ishte një fitore e pamerituar.
“Për mua, Karim [Benzema] do të kishte qenë numri një nëse do të kërkonit vërtet lojtarin më të mirë individual të vitit të kaluar, sepse unë mund ta shoh nga afër se çfarë futbollisti i jashtëzakonshëm është ai”, deklaroi Kroos për podkastin e tij zyrtar Einfach.
“Kur shoh sa gola vendimtarë ka shënuar kohët e fundit Cristiano – Manchester United është ende në Ligën e Kampionëve vetëm falë tij – atëherë, në sytë e mi, Cristiano do të kishte dalë gjithashtu para Messit”.
Ai shtoi: “Nuk ka dyshim se së bashku me Cristiano, ai ka qenë lojtari më i mirë i dekadës së fundit, por këtë vit duhet të jetë një tjetër sulmues”.
Iker Casillas, Oliver Khan dhe Lothar Matthaus gjithashtu mendojnë se Messi nuk ishte fituesi më i merituar.
Por, një njeri që pajtohet plotësisht me vendimin, është komentatori legjendar, Ray Hudson.
Hudson ka folur për Messin shumë herë në të kaluarën dhe ai nuk ka dyshim se argjentinasi e meritonte të fitonte çmimin për herë të shtatë.
“Mozarti i lojës sonë, në përjetësi..pjesa tjetër?”, filloi ai.
“Të gjithë cinikët, kritikët dhe urrejtësit, vazhdojnë t’i hedhin kritika! Ai i merr ato dhe ndërton një tjetër monument gjenial të tij me to”.
“Bota e Messit. Aty ku çmenduria dhe e pamundura, bëhet e pritshme!”.
Hudson më pas iu përgjigj një tifozi që e pyeti nëse mendonte se Messi e meritonte të triumfonte apo jo.
Fitimi i Topit të Artë 2021 nga Messi ishte shumë i diskutueshëm.
Por, në sytë e Hudson, nuk kishte asgjë të diskutueshme në lidhje me të. /Telegrafi/