Telegrafi

Legjenda Shevchenko bën thirrje për paqe, përfaqësueset refuzojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e barazhit në Rusi

(Foto: Instagram/andriyshevchenko)

Legjenda e futbollit, Andriy Shevchenko, ka bërë thirrje për paqe, pasi Rusia ka nisur sulmet ndaj Ukrainës, ndërkohë që Polonia, Republika Çeke dhe Suedia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke refuzuar të luanin barazhet për Kampionatin Botëror në Moskë.

Ekziston frika se Rusia mund ta aneksojë plotësisht Ukrainën brenda disa ditësh, pasi tanket tashmë raportohet të jenë gjithnjë e më afër kryeqytetit Kiev.

“Në orët e hershme një luftë në shkallë të gjerë u nxit nga Rusia. Populli im dhe familja ime janë nën sulm”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.

“Ukraina dhe populli i saj duan paqe dhe integritet territorial. Ju lutem, ju kërkoj të mbështetni vendin tonë dhe t’i bëjmë thirrje qeverisë ruse të ndalojë agresionin e tyre dhe shkeljen e ligjeve ndërkombëtare. Ne duam vetëm paqe. Lufta nuk është zgjidhje”, ka shkruar ikona e Milanit në rrjetet sociale.

Lexo po ashtu Gjithçka që ndodhi në katër ditët e para të agresionit rus në Ukrainë

Ndërkohë, federatat polake, suedeze dhe çeke, lëshuan një deklaratë të përbashkët të paprecedentë duke njoftuar se nuk do të luajnë kundër Rusisë në Moskë për barazhet e Kampionatit Botëror.

Polonia duhet të përballet me Rusinë në Moskë muajin e ardhshëm, ndërsa fituesit do të përballen me Suedinë ose Republikën Çeke.

UEFA tashmë po shqyrton nëse do ta zhvendosë finalen e Ligës së Kampionëve nga Shën Petersburgu, me Londrën si një lokacion alternativ potencial. /Telegrafi/

Lexo po ashtu Sporti, nën ndikimin e luftës mes Rusisë dhe Ukrainës: Futbolli është ndalur, basketbolli i detyruar të luhet, Formula 1 në pikëpyetje, sikurse edhe Kampionati Botëror në volejboll