Diskutimet për vendosjen e trupave perëndimore dhe kontraktorëve privatë të mbrojtjes në Ukrainë, kanë rifilluar në Evropë pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet amerikane.
Debati është i ndjeshëm dhe i klasifikuar, por sipas të përditshmes franceze Le Monde, çështja e vendosjes së trupave tokësore në Ukrainë është vendosur sërish në agjendën e liderëve evropianë, transmeton Telegrafi.
Megjithëse presidenti francez Emmanuel Macron nxiti kundërshtime të forta kur e ngriti këtë çështje në shkurt, por duket se me kthimin e Donald Trump në pushtet në Shtetet e Bashkuara, diskutimi është rishfaqur.
Le Monde raporton se kjo temë është diskutuar më 11 nëntor gjatë vizitës së kryeministrit britanik Keir Starmer në Francë.
U theksua se as Londra dhe as Parisi, nuk e përjashtojnë mundësinë e udhëheqjes së një koalicioni për të mbështetur Ukrainën.
“Diskutimet janë duke u zhvilluar midis Britanisë së Madhe dhe Francës për bashkëpunimin në mbrojtje, duke përfshirë krijimin e një grupi kryesor të aleatëve evropianë të fokusuar në Ukrainë dhe sigurinë më të gjerë evropiane”, tha një burim ushtarak britanik për Le Monde.
Më 23 nëntor, Ministri i Jashtëm francez Jean-Noël Barrot konfirmoi gjithashtu mbështetjen e fortë dhe të vazhdueshme të Francës për Ukrainën në një intervistë me BBC.
I pyetur nëse mbështetja e Francës mund të shtrihet në vendosjen e trupave tokësore në Ukrainë, ai u përgjigj: “Ne nuk po përjashtojmë asnjë opsion”.
“Ne do të mbështesim Ukrainën aq intensivisht dhe për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Pse? Sepse siguria jonë është në rrezik. Sa herë që ushtria ruse përparon me një kilometër katror, kërcënimi shkon një hap më afër Evropës”, shtoi ai.
Megjithatë, Elie Tenenbaum, një studiues në Institutin francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, i tha Le Monde se dërgimi i trupave tokësore mund të jetë teknikisht i realizueshëm në rast të një armëpushimi, me ushtarë evropianë të vendosur për të garantuar sigurinë në rajon.
Gjenerali holandez Rob Bauer, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, deklaroi se nëse udhëheqësit perëndimorë nuk do të kufizoheshin nga rreziku i përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, ata do të kishin vendosur tashmë trupat e tyre për të ndihmuar Ukrainën në luftë. /Telegrafi/