Site icon Telegrafi

LDK në Mitrovicë nesër nënshkruan koalicion me AKR-në dhe PD-në

Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, Safet Kamberi ka bërë të ditur se nesër do të nënshkruajnë koalicion me dy parti politike në Mitrovicë.

Të martën nga ora 12:00 në selinë e LDK-së Dega në Mitrovicë, do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjeve të koalicionit në mes të LDK-AKR dhe LDK-PD.

Kamberi ka thënë se ky koalicion do të bëhet mes këtyre partive të cilat do të bashkëpunojnë në nivelin lokal dhe si koalicion më i zgjeruar do të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Fokus për momentin deri në zgjedhje lokale është bashkëpunimi edhe në nivel komunal. Gjithsesi kjo do të vlejë tani edhe në zgjedhjet lokale kur do të bëhet një marrëveshje tjetër në kuadër të kësaj e cila pastaj do të jetë e detajuar. Mirëpo, bashkëpunimi do të jetë edhe për zgjedhje lokale”, tha Kamberi për Telegrafin.

I pyetur nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale të cilat pritet të mbahen në Veri të Mitrovicës, ai tha se koalicioni nuk po bëhet me këtë qëllim, por që nëse do të duhet, ata do të bëjnë ndonjë bashkëpunim tjetër për këtë.

“Gjithsesi do të jetë marrëveshje lokale edhe për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, pra do të jetë gjithëpërfshirëse. Ky koalicion nuk e ka fokus Mitrovicën Veriore, edhe pse ne si degë, si organizim, si LDK, në kuadër të degës përfshihet edhe Veriu edhe Jugu, ne nuk e kemi riorganizuar degën nëpër komuna, ndërsa këto partitë tjera po, janë të shpërndara, i kanë degët edhe në Veri, por nuk është kjo me atë qëllim. Por, gjithsesi nëse shkohet në zgjedhje edhe atje, që duhet me shku, normal që do të ketë edhe ndonjë bashkëpunim eventual për këtë proces”, tha Kamberi.

Me zgjedhjen e Goran Rakiq, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Pushtetit Lokal, komuna e Mitrovicës së veriut pritet të shkojë në zgjedhje.

Lexo po ashtu Rakiq me dy pozita në Qeverinë Hoti, Mitrovica e veriut shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Telegrafin se KQZ-ja do të fillojë me punën intensive për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi të shpallen këto zgjedhje. /Telegrafi/

Exit mobile version