I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimit në Prishtinë takim me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, është deklaruar për media në lidhje me temat që biseduan.
Lajçak ka thënë se në Prishtinë ishte për të diskutuar për dialogun dhe progresin që mund të arrihet para se institucionet e Bashkimit Evropian të shkojnë në zgjedhje.
“Vitin e kaluar kemi pasur rezultate të rëndësishme, si njohja e targave, por kishim përparim të vogël në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha diplomati evropian, raporton Telegrafi.
“Më nuk ka nevojë të pyetet se çfarë të bëhet e as si të bëhet, por kur duhet të bëhet implementimi. Nëse më pyesni mua unë kisha thënë që sa më parë të bëhet implementimi. Kisha bisedime të gjata me Kurtin e Bislimin dhe tani do të analizojmë ato që kemi dëgjuar nga ta. Do të njoftojë shtetet anëtare të BE-së për këto takime”.
Lajçak thotë se bisedat kanë qe të sinqerta por shton se paraprakisht për përmbajtjen e këtyre temave duhet të njoftojë shtetet anëtare të BE-së.
Ai tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, edhe për vendimin e Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në pagesat me para të gatshme në vend.
“E kemi përmendur këtë çështje në lidhje me vendimin e BQK-së por nuk dua të veprojë si zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë”.
“Kur flasim për hetimet, unë nuk jam adresa e duhur pasi nuk ka hetime që udhëhiqen nga BE-ja, por vendet janë duke i bërë hetimet e veta. Bashkimi Evropian nuk po bën hetime por vetëm po merr informata nga partnerët”, tha Lajçak./Telegrafi/