Nuk kanë fund lajmet për yllin argjentinas Lionel Messi.
Pasi kapiteni i Barcelonës ka kërkuar largimin nga Camp Nou gjatë afatit kalimtar veror, shumë skuadra janë futur në garë për të.
Messi pretendon të largohet i lirë nga Barcelona, ndërsa klubi thotë se nëse dëshiron ai largimin duhet të paguhet klauzola e tij.
Tanimë në këtë çështje ka ndërhyrë edhe La Liga, ku i ka mbajtur anën Barcelonës në këtë rast.
Elita e futbollit spanjoll ka konfirmuar se Messi ka një kontratë aktive me katalunasit dhe në të është një klauzolë që duhet paguar për tu larguar ai.
“Në lidhje me interpretimet e ndryshme që e kundërshtojnë njëra-tjetrën, të publikuara ditëve të fundit në media të ndryshme, në lidhje me situatën kontraktuale të lojtarit Lionel Andres Messi me Barcelonën. La Liga e konsideron të përshtatshme për të sqaruar se, pasi të jetë shikuar kontrata e lojtarit me klubin e tij”.
“Kontrata është aktualisht në fuqi dhe përfshin një klauzolë të përfundimit të saj të zbatueshëm në rast se Lionel Andres Messi vendos të kërkojë përfundimin e njëanshëm të parakohshëm të kontratës”, thuhet në njoftimin e La Ligas.
Më tej La Liga ka konfirmuar se nuk do të kryej procedurën e transferimit të lojtarit nëse nuk paguhet ajo klauzolë.
“La Liga nuk do të japë leje për çregjistrimin e lojtarit nga federata, nëse shuma e cekur në kontratë si klauzolë nuk paguhet”, thuhet në njoftimin e La Ligas.
Tani i mbetet skuadrave të interesuara për Messin, që nëse duan transferimin e tij të paguajnë klauzolën e argjentinasit që është 700 milionë euro. /Telegrafi/