Legjenda Rio Ferdinand ka zgjedhur ekipin e tij startues të Anglisë për Kupën e Botës “Katar 2022”, duke i kërkuar trajnerit Gareth Southgate që të luajë me katër mbrojtës të krahut në mbrojtje.
Anglia luajti me tre në mbrojtje në paraqitjen e fundit në Rusi, ku arriti në gjysmëfinale për herë të parë që nga viti 1990.
Skuadra e Southgate ishte më fleksibile në Euro 2020, por u rikthye në sistemin me tre mbrojtës për finalen në Wembley.
Megjithatë, legjenda Ferdinand tashmë ka në mendje 11-tën e tij të preferuar për Kombëtaren e Anglisë në Kupën e Botës “Katar 2022”.
Ish-mbrojtësi i Manchester United beson se Southgate duhet të luajë me Reece James dhe Kyle Walker në të njëjtën linjë të treshes së bashku me Harry Maguire.
Ai mendon gjithashtu se Trent Alexander-Arnold dhe Luke Shaw duhet të jenë nga krahët për të siguruar gjerësinë e nevojshme dhe ekuilibrin lart e poshtë krahëve.
Nëse do të ishte në dorën e Ferdinandit, Jude Bellingham dhe Declan Rice do të luanin në mesfushë, me Phil Foden që luan si numër 10 – menjëherë pas dyshes sulmuese, Raheem Sterling dhe Harry Kane.
“Unë do të shkoja me tre në qendër të mbrojtjes, pasi mendoj se ky është shansi ynë më i mirë. Maguire në të majtë, Walker në qendër dhe James në të djathtë”, ka thënë fillimisht Ferdinand në Vibe with Five podcast.
“Alexander-Arnold në krahun e djathtë dhe Shaw në krahun e majtë. Unë do të shkoja me Rice dhe Bellingham në mesfushë. Foden pas dy sulmuesve Sterling dhe Kane”.
43-vjeçari mbrojti zgjedhjet e tij dhe ofroi një shpjegim për skuadrën e zgjedhur, të cilën ai mendon se është më e përshtatshme për të shkuar larg.
“James mund të dalë me topin në mesfushë sepse ai mund ta bëjë këtë, ai luajti në mesfushë si fëmijë. Trent në të djathtë. Walker në qendër, ai po mbulon të gjithë vijën e pasme vetë”.
“Mesfusha ime, Declan, Jude dhe Foden si numër 10 dhe kthehet në mesfushë. Roli i lirë për Sterling, ai mund të shkojë ku të dojë, Kane e mban topin lart dhe vrapon pas”, përfundoi anglezi.
Anglia e Ferdinand (3-4-1-2): Pickford; James, Walker, Maguire; Alexander-Arnold, Rice, Bellingham, Shaw; Foden; Kane, Sterling
/Telegrafi/