Telegrafi

Kurti e pranoi propozimin e BE-së, Hoti e Hoxhaj pyesin se ku mbeti transparenca: Opinioni nuk ka informata përveç fotos nga restoranti

Pas pranimit në parim të propozimit të Bashkimit Evropian (BE) nga kryeministri i vendit Albin Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare kanë deklaruar se dialogu Kosovë – Serbi asnjëherë nuk ka qenë më i mbyllur sikurse është tani dhe se marrëveshja duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se procesi i dialogut me Serbinë është i mbyllur dhe jo transparent.

Sipas tij, opinioni publik nuk e di se kujt i ka thënë “PO” Kurti në takimin të cilin e zhvilloi të hënën në Prishtinë, me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Enver Hoxhaj

“Asnjëherë nuk ka qenë dialogu si proces më i mbyllur dhe më jo transparent me Serbinë, sikurse është tani, ku as qytetarët, as opozita dhe as opinioni publik nuk e dinë se kujt kryeministri Kurti dhe qeveria e tij po i thonë PO në një restorant, pa e ditur askush në Kuvend të Kosovës se çfarë përmbajnë këto plane dhe çfarë po pranojnë e cili është rezultati i përfundimtar”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Lexo po ashtu Deklarata e Kurtit për pranimin e planit franko-gjerman dhe reagimet e opozitës – gjithçka nga vizita e Lajçakut në Kosovë

Ndërsa, deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka deklaruar se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë përfundimtare dhe me njohje reciproke.

Deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Avdullah Hoti

“Marrëveshja me Serbinë duhet të jetë: përfundimtare – e jo e ndërmjetme, sepse ndryshe mbetet problem i hapur për të ardhmen dhe kjo e rrit pasigurinë politike në gjithë rajonin; ligjërisht e obligueshme – që ratifikohet në Kuvendet e të dyja vendeve; me garanci ndërkombëtare – ku BE dhe ShBA marrin përsipër obligime të caktuara që burojnë nga marrëveshja, në veçanti lidhur me integrimin euro-atlantik të Kosovës; për normalizim të marrëdhënieve – ku adresohen të gjitha çështjet mes dy vendeve bazuar në standardet evropiane të fqinjësisë së mirë; dhe për njohje reciproke”, ka shkruar Hoti.

Ndryshe, pas takimit në Prishtinë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Kurti në një postim në Twitter ka bërë të ditur se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i ekzekutivit të vendit ka thënë se ka pyetje të rëndësishme rreth këtij plani e të cilat do t’i adresojë në Bruksel.

Gjithashtu ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Jeffrey Hovenier e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për pranimin në parim Planin e Bashkimit Evropian për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi. /Telegrafi/