Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklarimeve të Shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili të premten është shprehur i alarmuar nga situata në veri.
Ai ka thënë se po bëhen arrestime të jashtëligjshme të serbëve në Kosovë, ndërsa ka përmendur edhe marshimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë.
E Kurti në reagimin e tij ka thënë se përhapja e panikut dhe pretendimeve të rreme veç “ndezin tensionet dhe u ndihmojnë atyre që kërkojnë përshkallëzim”.
“Një thirrje për të gjithë: Ju lutem konfirmojini burimet dhe prisni për informata zyrtare nga institucionet e Kosovës para se të vendosni të angazhoheni publikisht në transmetimin e lajmeve apo parashikimin e ngjarjeve”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në Twitter.
Ai ka thënë se qytetari serb i arrestuar në veri gjatë ditës është kapur “bazuar në provat e shumta dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës”.
Kurti ka thënë se si kryeministër i një shteti demokratik nuk është përfshirë në hetime e arrestime.
Ndërsa, sa i përket marshimit të FSK-së në Mitrovicë, ai ka shpjeguar se KFOR-i ka qenë në dijeni të plotë. Po ashtu, ai ka deklaruar se ky marshim ka qenë aktivitet i planifikuar vjetor.
“Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm”, ka përfunduar kryeministri. /Telegrafi/
Today’s exercises by the 3rd Regiment of @KSF_Kosova in South Mitrovica are a routine, annually planned activity, of which KFOR was fully informed. It consisted of 215 soldiers going from the “Minatori” garrison to Frashër and back. Disinformation is dangerous & unacceptable.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 23, 2023