Site icon Telegrafi

Kurti: Borrellit e Lajçakut ua bëra të qartë se do të kisha mirëkuptim nëse protestat do të ishin paqësore

Kryeministri Albin Kurti në konferencën globale të sigurisë Globsec në Bratisllavë, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell dhe me emisarin për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti tha se u ka bërë të qartë atyre se do të kishte mirëkuptim nëse protestat e serbëve në veri do të ishin paqësore.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta. Por jo grupet me simbole ‘Z’ që sulmojnë policët e ushtarët e KFOR-it e gjuajnë granata e thërrasin ‘vrisni, vrisni’. Te këto grupe fashiste ne nuk mund ta dorëzojmë demokracinë tonë”, tha Kurti, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Kurti në Bratisllavë flet për tensionet në veri, tregon qëndrimin e Kosovës

Kryeministri tha se nuk mund t’ju kërkoj kryetarëve të largohen nga zyrat e tyre sepse “kështu do t’i bashkohesha ilegalitetit të strukturave paralele”.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës. Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt sesa që është mandati i tyre, ata janë teknikë, administrativë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se çfarë mund të bëjnë është të ketë zgjedhje të reja më herët.

“Çfarë ne mund të bëjmë është të kemi zgjedhje të hershme, por ne nuk mund të themi që këta kryetarë nuk janë kryetar”, tha Kurti.

Ai u pyet edhe për mundësinë që Bashkimi Evropian të pezullojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jam i brengosur por kurrë i frikësuar, është puna ime të mos jem i frikësuar por i brengosur”, tha Kurti. /Telegrafi/

Exit mobile version