Telegrafi

KPM dënon sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë raportimit të ngjarjeve në veri

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka dënuar ashpër sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve gjatë raportimit të ngjarjeve në komunat veriore të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, KPM-ja ka deklaruar se po i përcjell me vëmendje raportimet e mediave si dhe ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për sulmet tashmë të evidentuara ndaj gazetarëve, ekipeve te televizioneve dhe pronës se tyre.

“Veprime të tilla që më së paku mund të cilësohen si huligane janë totalisht të papranueshme dhe sulm direkt ndaj informacionit dhe fjalës së lirë të mediave si vlera të panegociueshme të shoqërisë sonë”, thuhet në reagimin e tyre.

Lexo po ashtu Pamje që tregojnë dhunën e grupeve kriminale serbe ndaj ushtarëve të KFOR-it

KPM-ja gjithashtu ka vlerësuar lartë guximin dhe angazhimin e secilit gazetar e medium për të ofruar informacione në kohë reale.

Njëkohësisht ka kërkuar nga institucionet kompetente që sa më parë të vendosin para drejtësisë autorët e këtyre sulmeve, në mënyrë që të ofrohet ambient i sigurt për të ushtruar lirshëm profesionin e gazetarisë në shërbim të publikut.

“KPM inkurajon fuqishëm të gjithë gazetarët që të kryejnë misionin e tyre, duke qenë në shërbim të informimit të saktë, korrekt e të paanshëm si elemente shumë të rëndësishme të mirëqenies dhe jetës demokratike në vendin tone”, bëhet e ditur më tej./Telegrafi/