Site icon Telegrafi

Kosova për ta shkruar historinë në stadiumin ‘Fadil Vokrri’: Liga e Kombeve, ecuria, trajneri dhe formacioni i mundshëm

Dardanët janë një hap larg historisë, ku sonte në mbrëmje takohen me Azerbajxhanin në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, për ndeshjen që konsiderohet si ‘finalja’ e grupit 3 në Ligën D.

Djelmoshat e Bernard Challandes e nisën Ligën e Kombeve, një format i garave që po del të jetë i qëlluar dhe shumë rivalizues, me bindjen që mund të dalin të parët në grupin 3.

Kosova ishte caktuar të jetë pjesë e Ligës D, e fundit për nga kualiteti dhe pikët e mbledhura të kombëtareve në renditjen e FIFA-s.

Në grupi ishin Azerbajxhani si favorit dhe kombëtaret modeste si Malta dhe Ishujt Faroe.

U zhvilluan pesë ndeshje dhe asnjëra nuk arriti ta sigurojë vendin e parë dhe kalimin në një nivel më lartë me pikët e tubuara, pasi Kosova ka 11 pikë e Azerbajxhani nëntë.

Ndeshja e sotme mes këtyre dyjave do ta vendos kombëtaren që do të shkojw në play-off dhe do të kalojë në Ligën C.

Kosova nuk njeh humbje, ku ka tri fitore dhe dy barazime, ndërsa Azerbajxhani ka dy fitore dhe tri barazime.

Lexo po ashtu Valon Berisha: Fitorja ndaj Maltës na jep shpresë - Azerbajxhani favorit, por me tifozët tanë do të shkojmë për fitore

Dardanëve përveç fitores iu konvenon edhe barazimi.

Ndeshja zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’, njeriut të cilit i atribuohen sukseset që po arrin Kosova në futboll, e që nuk arriti t’i shihte, pasi vdekja e ndau para kohe, shkruan Telegrafi.

Aty në stadiumin që mban emrin e tij, do të jenë 13 500 tifozë të Kosovës, që me përkrahjen e madhe dhe dëshirën që të kalojnë tutje, do të mundohen t’i ndihmojnë djelmoshat tanë.

Zvicerani Bernbard Challandes dhe zgjedhja e tij e kontestuar fillimisht

Kur Fadil Vokrri e zgjodhi mes shumë emrave zviceranin 67 vjecar, Bernard Challandes, shumë ishin skeptik, pasi në vitet e fundit ai nuk kishte sukses, sidomos me Armeninë që e kishte drejtuar në vitet 2015/2016.

Ai erdhi me pak bujë, por me shumë punë dhe grusht të hekurt.

Fillimisht u eliminuan gabimet naive në mbrojtje dhe pësimi i shumë golave.

Në tetë ndeshje me Kosovën, ai ka marr gjashtë fitore dhe dy barazime, duke mos pësuar humbje.

Ai në konferencën e fundit para ndeshjes me Azerbajxhanin tha se nuk mendon për humbje, e as për largim në rast humbje, por gjërat mund të ndryshojnë sipas tij.

Lexo po ashtu Challandes: Ndeshja vendimtare, luajmë për fitore edhe pse Azerbajxhani është favorit

“Si trajnerë jemi të gatshëm për gjithçka. Edhe në këtë rast nëse Kosova nuk kalon tutje”.

“Nuk mendoj për një situatë të tillë. Jam trajner dhe e dua punë time që e bëjë. E kam parasysh që gjithçka mund të ndryshojë shpejtë”.

“Ndonjëherë nuk është lehtë për trajnerë”, deklaroi Challandes, që vazhdon ta sheh Azerbajxhanin si skuadër të rrezikshme.

Ai erdhi dhe bëri punë të mirë, bëri që skuadra të luajë si skuadër, pa frikë, pa eufori, gjë që nuk ishte parë në të shkuarën.

Challandes meriton notë të lartë për punën e tij te Kosova deri tani.

Stadiumi

Prej se Kosova është bërë me stadium të sajin dhe i zhvillon ndeshjet zyrtare në Prishtinë, nuk ka pësuar humbje.

Stadiumi i Prishtinës filloi të konstruktohej në vitin 2016 dhe iu deshën dy vite që ai të vije në këtë gjende që është.

Para se të inaugurohej stadiumi, presidenti i FFK-së, Fadil Vokrri, ndërroi jetë dhe stadiumi mori emrin e tij, transmeton Telegrafi.

Kosova këtu ka luajtur me Maltë (3-1) dhe Ishujt Faroe (2-0) të dyja fitore dhe të dyja me rezultat bindës.

Lexo po ashtu Tashmë dihen kundërshtarët e Kosovës nëse kalon tutje: Fitorja kundër Azerbajxhanit na dërgon kundër Maqedonisë në Shkup, barazimi me Gjeorgjinë në Tblisi

Kapaciteti i tij është ulur diku rreth 13 mijë ulëse, por sot do të ishin pak edhe 30 mijë për njerëzit që duan ta shohin ndeshje.

Shpresojmë që ‘FADIL VOKRRI’ ta shënojë edhe një ‘gol’ për Kosovën.

Ndeshja dhe formacioni

Ndeshja fillon në ora 20:45. Kosovës i konvenon edhe barazimi, që do ta dërgonte të luante me Gjeorgjinë në Tbilisi, e fitorja me Maqedoninë në Shkup.

Challandes duhet ta bëjë zviceranin. e të mos na lërë të ekzaltohemi para kohe, pasi janë edhe 90 minuta, ndoshta më të rëndësishmit për Kosovën në vitet e fundit.

Në portë do të jetë kapiteni Samir Ujkani, i vetmi i mbetur nga ata që erdhën kur Kosova fitoi të drejtën të luajë ndeshje miqësore zyrtare, shkruan Telegrafi.

Në të djathtë Mërgim Vojvoda, në qendër Amir Rrahmani me Fidan Alitin.

Në të majtë lojtari më i mirë në këto eliminatore, Benjamin Kololli.

Në qendër mesfushë dy gladiatorët, Hekuran Kryeziu dhe Herolin Shala.

Më i avancuar mesfushori i Lazios, Valon Berisha.

Dilema e madhe e Challandes janë krahët e sulmit. Në të djathë me shumë gjasë do të jetë Milot Rashica, ndërsa në krahun e majtë ka balotazh mes Arbër Zenelit dhe Donis Avdijajt.

Në sulm do të jetë Vedat Muriqi.

Challandes kësaj radhe ka zgjedhje në bankë më shumë se në cdo ndeshje, në cdo pozitë dhe lojtarë me karakteristika të ndryshme.

Kosovës nuk i mbetet tjetër veç t’i urojmë fat, pasi edhe fati bën punë në këso ndeshjesh, ku gëzimi është gjëja që ka nevojë ky popull.

Përpara Kosovë, përpara Dardanë. /Telegrafi/    

 

Exit mobile version