Telegrafi

Komuna e Podujevës ankohet: Persona të pandërgjegjshëm po i mbulojnë sensorët e ndriçimit publik me batanije

Foto: Arkiv

Komuna e Podujevës përmes një njoftimi ka bërë të ditur se persona të pandërgjegjshëm po vendosin batanije sensorët e vendosur në shtyllat e ndriçimit publik dhe si pasojë në disa vende ndriçimi publik po qëndron i ndezur edhe gjatë ditës.

Komuna e Podujevës në një postim në Facebook shkruan se informacionin e kanë përcjellë në drejtoritë përkatëse të cilat do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e këtyre veprimeve.

“Të nderuar qytetarë,

Jemi të njoftuar nga qytetarët që në disa lokacione të qytetit, në senzorët e vendosur në shtyllat e ndriçimit publik, persona të pandërgjegjshëm po vendosin batanije, dhe si pasojë disa vende ndriçimi publik po qëndron i ndezur edhe gjatë ditës.

Informacionin e kemi përcjellur në drejtoritë përkatëse të cilat do t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e këtyre veprimeve”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, një ditë më parë Kuvendi ka shpallur gjendjen emergjente me energji elektrike, që do të jetë në fuqi 60 ditë.

Javët e fundit vendi është përballur me krizë energjetike, ndërsa javë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti në një konferencë për media u pyet nga gazetarët se me çka po ngrohet, teksa tha se në shtëpinë e tij është ngrohur me batanije. /Telegrafi/