Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka lavdëruar vendimin për të luajtur finalen e Ligës së Kampionëve në Madrid, ndërsa atë të Ligës së Evropës në Baku e ka cilësuar si shumë qesharak.
Jurgen Klopp ka folur rreth finaleve të mëdha të Ligës së Kampionëve dhe asaj të Ligës së Evropës, ku ka pasur kritika rreth vendimit për garën e dytë.
“Mendoj se Madridi është i shtrenjtë, por së paku nuk duhet të shkosh në anën tjetër të botës. Të shkosh në Baku për finalen e Ligës së Evropës është shumë qesharake”, ka thënë fillimisht Klopp.
“Këta njerëzit që marrin vendime të tilla, nuk e di se çfarë hanë për mëngjes?”.
“Vitin e kaluar ishim në Kiev, i cili është një qytet i mrekullueshëm, por për një ekip në pjesën tjetër të botës nuk është destinacion i pëlqyeshëm”.
“Madridi është i përgatitur për festën që do të bëhet atje, por Baku? Nuk kam asnjë ide se si shkohet atje, apo nëse ka një linjë të rregullt fluturimesh”.
“Këto vendime duhet të jenë më të arsyeshme pasi më duken të paarsyeshme”, përfundoi trajneri gjerman i Liverpoolit.
Ndryshe, Reds në finale do të luajnë me Tottenham Hotspur, ndërsa në finalen e Ligës së Evropës do të përballen dy klubet londineze, Arsenali dhe Chelsea. /Telegrafi/