Telegrafi

BE kërkon formimin e një gjykate speciale për krimet e luftës të kryera nga Rusia: Ata duhet të paguajnë

Bashkimi Evropian do të përpiqet, me mbështetjen e Kombeve të Bashkuara, të krijojë një gjykatë të dedikuar për hetimin dhe gjykimet e krimeve të luftës ruse të kryera në luftën në Ukrainë, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Pushtimi rus i Ukrainës solli vdekje, shkatërrim dhe vuajtje të paimagjinueshme. Të gjithë i kujtojmë tmerret e Bucha. Vlerësohet se më shumë se 20 mijë civilë dhe më shumë se 100 mijë anëtarë të ushtrisë ukrainase janë vrarë në luftë deri më tani”, shtoi Von der Leyen, transmeton Telegrafi.

“Rusia duhet të paguajë për krimet e saj të tmerrshme, duke përfshirë krimin e agresionit kundër një shteti sovran. Për këtë arsye, megjithëse ne vazhdojmë të mbështesim krijimin e një gjykate ndërkombëtare, ne propozojmë krijimin e një gjykate speciale që do ta mbështeste KB-ja dhe do të hetonte dhe të ndëshkonte krimet ruse”, tha ndër tjera kryetarja e Komisionit Evropian.

“Ne jemi të gatshëm të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të marrë mbështetjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për krijimin e asaj gjykate speciale. Rusia duhet të paguajë financiarisht për shkatërrimin që ka shkaktuar. Vlerësohet se Ukraina ka pësuar dëme prej rreth 600 miliardë euro, Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë dëmin e Ukrainës dhe kostot e rindërtimit të vendit. Krimet e tmerrshme të Rusisë nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”, tha e para e KE-së në një fjalim.

Ndryshe, Rusia mohon vrasjen e civilëve dhe kryerjen e krimeve të luftës pavarësisht provave bindëse për masakrën në Bucha. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se vetëm gjatë pushtimit të Khersonit, janë kryer më shumë se 400 krime të luftës. /Telegrafi/