Gjiganti italian, Juventusi ka refuzuar ofertën e Paris Saint-Germain për talentin italian, Mattia Caldara.
Juventusi thuhet se ka refuzuar një ofertë më të madhe se 40 milionë euro nga PSG për mbrojtësin e talentuar italian.
Sipas mediumit italian Calciomercato.com, bordi i Juventus do të bllokojë çdo afrim të mëtejshëm për Caldara pasi ata shohin qendërmbrojtësin 24-vjeçar si ideal për projektin e ri të Bianconerëve.
Ish-reprezentuesi i Italisë nën 21 vjeç u transferua te Zonja e Vjetër në janar të vitit 2017, por do të bashkohet me ta vetëm këtë verë.
Kjo pasi drejtuesit e klubit nga Torino vendosën që ta huazojnë atë përsëri te Atalanta për 18 muajt e fundit.
Faqja e internetit pret që PSG të nënshkruajë me një mbrojtës për sezonin e ardhshëm, por përsërit se Caldara do të jetë një pjesë e rëndësishme e Juves, të cilët janë plotësisht të bindur nga cilësitë e tij.
Ndryshe, Caldara shihet si një zëvendësues ideal i dyshes, Giorgio Chiellini dhe Andrea Barzagli, të cilët janë në prag të pensionimit.
Caldara shihet gjithashtu edhe si një pikë e rëndësishme e Kombëtares së Italisë në të ardhmen. /Telegrafi/