Telegrafi

Juve dhe PSG shënojnë, por edhe pësojnë ndaj kundërshtarëve në pjesët e para

(Foto: Twitter/Paris Saint-Germain)

Juventusi e ka nisur për mrekulli ndeshjen e dytë në kuadër të fazës grupore të Ligës së Kampionëve kundër Benficas.

Zonja e Vjetër e filloi furishëm takimin në Allianz Stadium duke kaluar në epërsi që në minutën e katërt. Leandro Paredes harkoi në zonë dhe Arkadiusz Milik realizoi gol të bukur me kokë.

Bianconerët patën raste të tjera të shumta në 45 minutat e parë, por edhe skuadra portugeze rrezikoi në disa raste madje duke e goditur edhe shtyllën me anë të Rafa Silva.

Benfica arriti të nxjerrë penallti në fund të pjesës së parë, të cilën e konvertoi në gol Joao Mario (43’).

Në ndeshjen tjetër të Grupit H, Maccabi Haifa e befasoi Paris Saint-Germainin duke krijuar epërsi me golin e Tjarron Chery (24’).

Megjithatë, nuk vonoi reagimi i kampionit francez, kur pas një harkimi nga Kylian Mbappe topi shkoi te Lionel Messi, i cili u tregua i saktë nga afërsia (37’). /Telegrafi/