Ish-shefi i Hamasit ka bërë thirrje që të premten të zhvillohen protesta në të gjithë botën myslimane në mbështetje të palestinezëve dhe që popujt e vendeve fqinje t’i bashkohen luftës kundër Izraelit.
“[Ne duhet] të dalim në sheshet dhe rrugët e botës arabe dhe islame të premten”, ka thënë Khaled Meshaal, i cili aktualisht drejton zyrën e diasporës të Hamasit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Meshaal, i cili është i vendosur në Katar, tha se qeveritë dhe popujt e Jordanisë, Sirisë, Libanit dhe Egjiptit kanë një detyrë më të madhe për të mbështetur palestinezët.
“Fiset e Jordanisë, bijtë e Jordanisë, vëllezërit dhe motrat e Jordanisë… Ky është një moment i së vërtetës dhe kufijtë janë afër jush, ju të gjithë e dini përgjegjësinë tuaj”, citohet të ketë thënë Meshaal në një deklaratë të regjistruar.
“Për të gjithë që mësojnë xhihadin… për të gjithë ata që e ligjërojnë dhe e mësojnë, ky është një moment për zbatimin (e teorive)”.
Ndryshe, Jordania dhe Libani janë shtëpia e numrit më të madh të refugjatëve palestinezë.
Thirrja e Meshaal për një kryengritje të së premtes së 13-të u përsërit nga vetë Hamasi, sipas Institutit të Kërkimit të Medias në Lindjen e Mesme (MEMRI) me bazë në Uashington DC, i drejtuar nga Izraeli.
MEMRI tha se Hamasi u bëri thirrje mbështetësve të tij në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Izrael të ngrihen në atë që ai e quajti ‘Përmbytja e Al-Aksa’ – duke i bërë jehonë asaj që organizatori i fshehtë palestinez Mohammed Deif e quan sulmin që ai filloi të shtunën kundër Izraelit.
Fraza nga njeriu më i kërkuar i Izraelit e përdorur në një kasetë audio të transmetuar kur Hamasi lëshoi mijëra raketa nga Rripi i Gazës gjatë fundjavës, sinjalizonte se sulmi ishte “shpagimi i tyre” për bastisjet izraelite në xhaminë Al Aksa të Jerusalemit. /Telegrafi/