Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media tha se inflacioni ka rënduar jetën e qytetarëve në Kosovë, prandaj do të fillojnë me një pako të re mbështetëse.
Ai në konferencën për media me ministrin e Financave, Hekuran Murati tha se kjo po bëhet me qëllim që qytetarëve të ju lehtësohet përballja me inflacionin.
“Si qeveri mbetemi të përkushtuar për tu dalë në krah qytetarëve sa herë kjo është e nevojshme. Në linjë me këtë synim tonin sot po prezantojmë një pako të re që ka për synim mbështetjen e qytetarëve për tu përballur me krizën inflacionare”, tha ai.
Sipas tij, nisur nga gjendja e rënduar me energjinë më shumë se kurrë është e domosdoshme të kursehet.
“Do t’i subvencionojmë ata që kursejnë energjinë elektrike. Për aq sa kursehet në raport me të njëjtin muaj të vitit paraprak ne do të subvencionojmë dyfish faturën”, tha ai.
Kurti po ashtu tha se do të procedojnë në qeveri e pastaj në kuvend Projektligjin për punë publike, që parasheh kompensimin për inflacion për materiale ndërtimore dhe punët përcjellje për kontratat ekzistuese të punës.
“Për pensionistët do të ndajmë shumën e njëhershme prej 100 euro, ndërkaq familjet në asistencë sociale do t’i mbështesim duke dyfishuar shumën e asistencës për një muaj”, tha ai.
Ai po ashtu njoftoi se për zyrtarët publikë do të ndajnë shtesën prej 50 euro duke filluar nga shtatori, kurse për punëtorët në ndërmarrjet publike do të ndajnë shumën e njëhershme prej 100 euro.
Sipas tij, 80 për qind janë të punësuar në sektorin privat, sektor ky i prekur më së shumti nga inflacioni. “Do të mbështesim secilin biznes që i rritë pagat e punëtorëve. Duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”, bëri të ditur Kurti.
Ai tha se përkrahje do të ketë edhe për studentët, ku do të ndahet shuma e njëhershme prej 100 euro në nëntor kur viti akademik është duke u zhvilluar.
“Në muajt në vijim pra do t’i ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion”, tha ai.
Në masën e subvencionimit të kursimit të energjisë do të përfitojnë rreth 300 mijë familje, ndërsa nga pagesat direkte do të përfitojnë rreth 600 mijë qytetarë.
Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se për të gjitha këto masa kriteret e përfitimit do të paraqiten me kohë por sipas tij për shumicën prej tyre, si për shembull për punëtorët e sektorit publik apo ndërmarrjet publike nuk ka nevojë të aplikohet pasi listat janë në Thesar. /Telegrafi/