Sot është inauguruar “Qendra Nacionale e Xhudos”, e cila gjendet në Pejë, e ku në inaugurim morën pjesën edhe presidenti Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer, drejtuesit e xhudos kosovare si dhe sportistët e këtij sporti.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se tashmë xhudistët janë bërë me një shtëpi siç e meritojnë.
“Xhudistët tanë sot janë bërë me një shtëpi, ashtu siç edhe e meritojnë”.
“Historia gjithmonë do të flas për ju. Së pari Majlinda e më pas Distria dhe Nora. Jeni ju që na bëni të mburremi me sukseset tuaja. Fillimet e juaja sigurisht që nuk kanë qenë të lehta. Puna dhe stërvitja e madhe dhe përkushtimi që keni pasur ka sjell suksesin e madh. Ju e zbardhët fytyrën e një kombi tërë”, ka thënë presidentja Osmani.
Presidentja po ashtu ka nderuar me medalje dy kampionet olimpike me titullin “Nderi i Republikës”.
Ndërsa Distria është dekoruar me dy medalje me atë të “Medaljen Presidenciale” dhe “Nderi i Republikës”, pasi që Nora Gjakova më herët është dekoruar me “Medalje Presidenciale”.
Po ashtu është dekoruar edhe trajneri i xhudistëve, Driton Kuka me “Medalje Presidenciale”.
Kurti: Sporti është prioritet shtetëror
Kryeministri Albin Kurti, ka uruar të gjithë për qendrën e xhudos, ndërsa ka shtuar se Majlinda Kelmendi do të shpallet “Qytetare me Merita të Veçanta”.
“Kam kënaqësinë që të jem sot këtu për të shënuar një fillim të ri për sportin e xhudos në Kosovë”.
“Për dallim nga hera e kaluara kur kryefjala ishte suksesi i xhudistëve tonë kësaj radhe po e shënojmë ndërtimi e qendrës nacionale të xhudos në Kosovë, urime të gjithëve!”.
”Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Kosovës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të propozojë vendimin për shpalljen e Majlinda Kelmendit, “Qytetare me Merita të Veçanta”, pasi për arritjet e saja që i ka sjellur Kosovës kjo është më e pakëta që mund të bëjmë për Majlindën”, ka thënë Kurti.
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos: Jeni shtet i vogël, por popull i madh, u dëshmua në LO
Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Marius Vizer ka marrë pjesë në inaugurimin e Qendrës Nacionale të Xhudos në Pejë.
Në këtë ceremoni, presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos ka përgëzuar Kosovën si një shtet të vogël, por me potencial të madh.
“Nuk jeni shtet i madh, por një popull madhështor, dhe heronjtë tuaj provuan këtë në Rio, në Tokio, në Lojëra Olimpike dhe turne tjerë ndërkombëtarë të xhudos”, ka thënë ai.
Kuka: Nga kjo palestër do të dalin edhe shumë kampionë të rinj
Kryetari i Federatës së Xhudos te Kosovës, Agron Kuka ka thënë se janë sportistët dhe trajnerët që kanë përfaqësuar me dinjitet vendin dhe i kanë sjellur dy medalje të arta Kosovës.
Tutje, Kuka shtoi se tani xhudistët do të stërviten në kushte dinjitoze, por që nga kjo palestër presin të dalin edhe shumë kampionë të rinj.
“Tani e tutje në këtë palestër jo vetë kampionët, por do të stërviten edhe xhudistë të rinj në kushte dinjitoze. Uroj që nga kjo palestër të dalin edhe shumë kampionë të rinj.”
/Telegrafi/