Telegrafi

Ibra kaloi shifrën prej 500 golash me klube: Kjo do të thotë se kam shënuar disa gola në karrierë

(Fotomontazh: Twitter/B/R Football)

Zlatan Ibrahimovic ishte sërish në shënjestër në ndeshjen ndërmjet Milanit dhe Crotones, të cilën Rossonerët e fituan me rezultat 4-0.

Sulmuesi veteran e zhbllokoi rezultatin pas gjysmë ore, ndërsa ky ishte gol i tij i 500-të në karrierë me klube.

Në pjesën e dytë, 39-vjeçari e shënoi edhe golin e dytë personal në këtë sfidë (pra golin numër 501 me klube), ndërsa për këtë arritje dha një deklaratë të thjeshtë.

“Kjo do të thotë se i kam shënuar disa gola në karrierën time, gjëja më e rëndësishme është që të vazhdoj dhe t’i ndihmoj skuadrës. Objektivi im është që të shënoj gola dhe të krijoj raste.

Lexo po ashtu Milani bindshëm dhe sigurt ndaj Crotones, rimerr kreun

“Duhet ta zhvillojmë lojën tonë dhe të fitojmë ndaj një skuadre, e cila qëndron prapa dhe mund të na shkaktojë probleme. Duhet të shfrytëzojmë maksimumin e rasteve që na jepen”, ka deklaruar Ibra për Sky Sport.

Malmo, Ajax, Juventus, Inter, Barcelona, Milan, Paris Saint-Germain, Manchester United dhe LA Galaxy, janë klubet për të cilët Zlatan ka luajtur në karrierën e tij të jashtëzakonshme. /Telegrafi/