Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli të pavlefshëm Ligjin për Paga në Sektorin Privat.
Hoti në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka thënë se, rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet me një proces të konsultimit të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik.
“Qeveria obligohet që t’i respektoj të gjitha aktgjykimet që dalin nga Gjykata Kushtetuese, pa përjashtim dhe pa i diskutuar ato. Ne shprehim zotimin të fillimit të shpejtë të procedurave ashtu siç ka deklaruar dje zëvendëskryeministri [Besnik Tahiri], që menjëherë të hyjmë në proces të adresimit të vërejtjeve karshi Gjykatës Kushtetuese të këtij Ligji dhe të adresoj së shpejti në Kuvendin e Kosovës. Rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet me një proces të konsultimit të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik, sepse Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtim dinjitoz të të gjithë të punësuarve në sektorin publik por edhe në atë privat”, tha Hoti, përcjell Telegrafi.
Gjykata Kushtetuese më 30 qershor, ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.
Kujtojmë se, deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik. /Telegrafi/