Telegrafi

Haxhiu i reagon Limajt: Para se të shpifni për LVV-në, tregoni çfarë pazari keni bërë me Listen Serbe

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj Nisma Socialdemokrate, e cila kërkoi nga LVV që të tregojë se çfarë pazaresh ka bërë me Nenad Rrashiqin.

Haxhiu në një postim në llogarinë e saj në Facebook ka shkruar se kreu i NISMA-së duhet të tregojë se çfarë pazaresh ka bërë ai me Listën Serbe, pasi që Lista Serbe nuk është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP), i cili vendosi të përjashtohen nga rezultati i zgjedhjeve votat e ardhura nga Serbia.

Postimi i plotë i Haxhiut:

“Sot kuptova që Lista Serbe nuk është ankuar në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-it.
A thua pse?
Limaj e Sherifi, para se të shpifin kundrejt Lëvizjes, le të na tregojnë pazarin që e kanë bërë me Listën serbe.
Kot e keni. Pazari nuk kalon :)”, ka shkruar Haxhiu.

Reagimi i deputetes së LVV-së vjen, pasi NISMA Socialdemokrate ka akuzuar LVV-në se po bën pazare me me përfaqësuesin e koalicionit serb në Kosovë, ”Sloboda”, Nenad Rashiq.

Kryetari i NISMA  Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka thënë se pavarësisht se Vetëvendosje si parti fituese një javë më përpara i kishte konsideruar si të parregullta votat e ardhura nga Serbia, e njëjta ndërron qëndrim.

“Ka parti që ka një qëndrim zyrtar të partisë ku i cilëson të parregullta e kontrabandë pakot e ardhura nga Serbia dhe brenda javës e njëjta parti kërkon nga Gjykata Supreme zyrtarisht me i pranu ato pako si të rregullta”, ka shkruar Limaj në një postim në Facebook.

Lexo po ashtu Limaj: LVV-së i duhen tri mandate për të përmbushur pazarin me Rashiqin
Lexo po ashtu NISMA: Cilat janë pazarllëqet e LVV-së me Nenad Rashiqin?

Limaj shtoi se VV e fton për ndihmë një zyrtar serb i cili poashtu publikisht kishte deklaruar se këto vota falsifikohen. /Telegrafi/