Florent Hadergjonaj do të largohet nga Kasimpasa pas tre viteve e gjysmë qëndrimi në Stamboll.
Mbrojtësi i djathtë kosovar ka shkëlqyer në klubin turk dhe ofertat për të nuk mungojnë, kryesisht nga klubet turke, por së fundmi edhe nga Greqia.
Trabzonspor, Istanbul Basaksehir e Adan Demirspor duan ta mbajnë Hadërgjonajn në Turqi, me lojtarin që më 1 korrik do të mbetet i lirë pas skadimit të kontratës me Kasimpasan.
Por së fundmi gara për t’i fituar shërbimet e mbrojtësit fantastik nga Kosova është shtuar edhe me ‘Big 4’ nga kampionati elitar grek.
Mediumi grek SDNA.gr ka raportuar se skuadrat se Hadergjonaj ndodhet në listën e dëshirave të skuadrave të mëdha greke si Olympiacos, Panathinaikos, PAOK dhe AEK Athinë.
Klubet greke tanimë kanë pasur kontaktet e para me përfaqësuesit e lojtarit dhe po bëhet një garë e madhe për të nënshkruar me Hadergjonajn.
28-vjeçari ka një karrierë të bujshme, ku e filloi te Young Boys Bern, derisa ka luajtur edhe në Bundesliga me fanellën e Ingolstadt dhe në Ligën Premier me Huddersfield.
Hadergjonaj pritet që deri në fund të këtij muaji të vendos për të ardhmen e tij, pasi ofertat nuk mungojnë dhe ai pritet ta zgjedh projektin më të mirë për ta vazhduar karrierën e tij.
Reprezentuesi kosovar këtë edicion ka zhvilluar 25 ndeshje në elitën e futbollit turk me fanellën e Kasimpasas, ku ka realizuar tre gola dhe ka asistuar në një tjetër. /Telegrafi/