Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka folur për situatën e transferimeve në klubin e tij, pasi mund të ketë edhe disa ndryshime deri në mbylljen e afatit kalimtar.
City njoftoi gjatë ditës së djeshme transferimin e Jack Grealish nga Aston Villa për një shifër rekord prej rreth 120 milionë eurosh.
Megjithatë, anglezi Grealish nuk pritet të jetë përforcimi i fundit i klubit nga Etihad, pasi synohet transferimi i madh i Harry Kane nga Tottenhami.
Për situatën e sulmuesit anglez ka folur edhe vet trajneri i Cityt, Guardiola.
“Ai është një lojtar i Tottenham. Nëse Tottenham nuk dëshiron të negociojë, ajo gjë përfundon”, ka thënë fillimisht Guardiola.
“Nëse duan të negociojnë, shumë klube do të donin ta nënshkruanin atë, ne nuk jemi përjashtim. Ne jemi shumë të interesuar për të, sigurisht që do të përpiqemi”.
Guardiola ka njoftuar se ka edhe disa lojtarë që duan të largohen nga City, ndër ta edhe portugezi Bernardo Silva.
“Bernardo Silva dëshiron të largohet. Janë dy ose tre lojtarë që duan të largohen. Kur ata sjellin ndonjë ofertë dhe duan të largohen, ne jemi të hapur për të diskutuar… por kjo varet nga ata”, përfundoi trajneri i Cityt. /Telegrafi/