Site icon Telegrafi

Gjithçka që ndodhi sot në seancën e Kuvendit, ku Haradinaj i tha Kurtit “Mos je njeri i Serbisë”

“Mos je njeri i Serbisë?”, iu drejtua deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kryeministrit, Albin Kurti, i cili nuk iu përgjigj kësaj pyetjeje, por që më vonë reagoi deputeti i LVV-së Haki Abazi, duke thënëse “Haradinaj duhet të pyetet se kush e ka sjellë atë nga burgu në Francë e drejt e në Kryeministri”.

Nuk kaloi Rezoluta e AAK-së për kthimin e shtesave të pensionistëve, stafit shëndetësor dhe institucioneve të sigurisë, për të cilën ishte thirrur seanca e sotme e Kuvendit, e nuk u zgjodhën asnjë prej kandidatëve për zëvendës të Avokatit të Popullit.

Haradinaj tha në Kuvend se ka dy pyetje pas darkës së Kurtit me liderët e rajonit të Ballkanit Perëndimor në Bruksel dhe deklaratës për kriminelët e luftës.

“Kam dy pyetje për kryeministrin Kurti. A jeni i rekrutuar nga shërbimet sekrete serbe në kohën sa je mbajt në burg, pra a mban Serbia diçka mbi ty me të cilën të mbanë peng sot e kësaj dite, a është Kosova më e rrezikuar nga ti si i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë qëndrimit në burg, apo nga çlirimtarët që janë detyrua me e mbajt pushkën në dorë me luftua për lirinë e vendit. Pra, duhet të deklaroheni njëherë e mirë sepse qarkullojnë gjatë këto”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kësaj deklarate më vonë iu përgjigj me një pyetje tjetër, deputeti i LVV-së, Haki Abazi.

Abazi tha se rrjedhimisht, “Haradinaj duhet të pyetet se kush e ka sjellë atë nga burgu në Francë e drejt e në Kryeministri”.

Lexo po ashtu Abazi pyet Haradinajn: Cili shërbim sekret ju ka sjellur prej dhomave të burgut në Francë, drejt e në kryeministri

“Në pyetjen e z.Haradinaj që mendoj që në gjuhën tonë parlamentare nuk duhet të ekzistojnë ajo formë e tentimit të poshtërimit të njerëzve që kanë përgjegjësi e mandat të mbi 50 për qind të popullatës. E kthen gjuhën parlamentare në një konflikt të panevojshëm”, tha Abazi.

Kurse, shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri sot në Kuvendin e Kosovës ka thënë se qartësisht është e ditur kush ka kryer krime në Kosovë dhe Bosnjë, ndërsa kërkoi nga kryeministri i vendit, Albin Kurti që të qartësojë siç tha ai deklaratën “për kriminelët e luftës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se vazhdon të jetë i mendimit se marrëveshja që ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka arritur me NATO është e dëmshme.

Kurti këtë deklaratë e bëri pasi u pyet nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura, nëse ka shprehur shqetësimit e tij për marrëveshje në takim që ka pasur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, transmeton Telegrafi.

“Marrëveshja në fjalë ka qenë dhe vazhdon të mbetet e dëmshme për interesat e Kosovës. Unë qëndroj prapa asaj që kam deklaruar. Unë nuk kam akuzuar sekretarin e NATO-së, për shkëmbimin e letrave, dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij, por kam akuzuar titullarin e atëhershëm te institucioneve të Kosovës që ka vënë nënshkrimin në një marrëveshje të tillë”, deklaroi Kurti në Kuvend, përcjell Telegrafi.

Diskutime pati edhe për arsyen e seancës, pra për shtesat në paga dhe pensionet.

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri tha se shtesat nuk janë asgjë më shumë se një kompensim minimal i punës dhe rrezikut për këto kategori.

“Kjo temë kërkon debat serioz, e përmbajtjesor nga qeveria e kuvendi. Para së gjithash, duhet theksuar se shtesat, nuk janë asgjë më shumë se një kompensim minimal i punës dhe rrezikut për këto kategori, pa përshirë lodhjen e shqetësimin për familjet, e po ashtu është përkrahje minimale për sigurim të ekzistencës për kategoritë sociale e pensionistët. Pra, debati në kuvend, duhet të shtrohet mbi këto të vërteta, përkundër se gjendja e ballafaqimi mbetet i njëjtë, shto këtu faktin e lodhjes sistematike, e ku shumicës prej tyre u është rënduar situata qoftë shëndetësore e socio-ekonomike”, tha Tahiri.

Lexo po ashtu Murati i drejtohet opozitës: Është gabim logjik të thoni se janë zbritur pensionet

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, e ka quajtur popullizëm brengën e opozitës sa i përket skemave sociale.

Ai ka thënë se është gabim logjik nëse thuhet se ka pasur zbritje të pensioneve.

Lexo po ashtu "Bie sistemi", Kuvendi shkon në pauzë

Kuvendi i Kosovës pastaj ndërpreu seancën për shkak të problemit me mikrofona.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se duhet të shkojnë në pauzë në mënyrë që të rregullohet ky problem, transmeton Telegrafi.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha se interpelanca për shtesat ka një keqinterpretim të qëllimshëm për vendimin e qeverisë, pasi sipas tij, janë vetë fjalimet e opozitës ato që tregojnë fuqishëm se masat e vendosura nga Qeveria Kurti 1 kanë qenë të duhura.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri i ka reaguar deputetit të LVV-së, Haki Abazit. Gjatë seancës së sotme kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj e kishte pyetur kryeministrin Albin Kurti se cili shërbim sekret serb e kishte rekrutuar. Për këtë nuk ishte përgjigjur Kurti, por që Abazi e kishte pyetur Haradinajn se kush e solli nga dhomat e burgut në Francë në kryeministri. /Telegrafi/

Exit mobile version