Telegrafi

Gjesti për lëvdata i Fernandinhos, ia dha shiritin e kapitenit Zinchenkos në ndeshjen e Kupës FA

(Foto: Twitter/Manchester City/Goal)

Mesfushori Manchester Cityt, Oleksandr Zinchenko, është zgjedhur kapiten i Citizens në ndeshjen e Kupës FA kundër Peterborough.

Kapiteni i Ukrainës kishte shpërthyer në lot para ndeshjes ndërmjet Evertonit dhe Manchester City në Goodison Park, ku kishte pasur një pritje të ngrohtë nga të dyja grupet e tifozëve – porse në atë takim qëndroi në bankën rezervë dhe nuk u aktivizua nga Pep Guardiola.

Trajneri i Cityt në deklaratën para ndeshjes së FA Cup deklaroi se do ta inkuadronte 25-vjeçarin, pasi “një futbollist i mrekullueshëm si ai duhet të luajë futboll” dhe se loja do t’i ndihmojë t’i largojë paksa nga mendja ngjarjet dëshpëruese në atdheun e tij.

Në ndërkohë, Guardiola ka njoftuar se Fernandinho kishte vendosur t’ia jepte shiritin e kapitenit Zinchenkos duke i ndihmuar që ta përfaqësonte në mënyrën më të denjë vendin e tij.

Lexo po ashtu Guardiola jep të dhëna për situatën e Zinchenkos pas skenave emocionuese gjatë fundjavës

“Kapiteni ynë (Fernandinho) vendosi t’ia jepte shiritin e kapitenit atij (Oleksandr Zinchenkos), për të treguar se sa e rëndësishme është situata (në Ukrainë)”.

“I gjithë klubi qëndron prapa këtij gjesti, prapa kapitenit tonë, për ta përfaqësuar vendin e tij”, ka treguar trajneri. /Telegrafi/

(Foto: Twitter/Manchester City)