Site icon Telegrafi

Gjesti i madh i Bukayo Saka – zbret nga autobusi dhe ia dhuron fanellën e tij djaloshit nga Kosova, tifozët e Arsenalit tani kërkojnë t’ia blejnë

Talenti i Arsenalit, Bukayo Saka e ka gëzuar tifozin e Topçinjve nga Kosova, Vërshim Kastrati, pasi ia ka dhuruar fanellën e tij pas ndeshjes së Anglisë U21 ndaj Përfaqësueses së Kosovës.

Ekipi i Anglisë U-21 luajti gjatë mbrëmjes së premte në Prishtinë, ku mposhti Përfaqësuesen e Kosovës U-21 me rezultat të thellë 6-0.

Golat në këtë fitore të Tre Luanëve u shënuan nga Eddie Nketiah (51′, 55′, 61(pen)), Reiss Nelson (66′), Ryan Sessegnon (82′), Jude Bellingham (85′).

Lexo po ashtu Kosova U21 turpërohet nga Anglia U21, anglezëve iu deshën vetëm 45 minuta për të shënuar gjashtë herë

Megjithatë, për një tifoz nga Kosova pati edhe lumturi, edhe përkundër humbjes së djelmoshave Dardanë.

Bëhet fjalët për djaloshin nga Prishtina, Vërshim Kastrati, i cili njihet si tifoz i zjarrtë i Arsenalit.

Vërshim Kastrati

Kastrati ‘fitoi’ një fanellë të ndeshjes nga talenti anglez i Arsenalit, Bukayo Saka.

E veçanta e gjithë kësaj historie është se Saka zbriti nga autobusi i ekipit të Anglisë për t’ia dhuruar fanellën e tij prishtinasit, i cili mbante një pankartë ku i kërkonte anglezit fanellën.

Pankarta e Kastratit

Këtë gjest të Sakas, Kastrati e ka vlerësuar lartë, duke e falënderuar me anë të një postimi në profilin e tij privat në Twitter.

“Një dhuratë e pa çmimi nga një person mahnitës dhe një lojtar shumë i talentuar Bukayo Saka. Kurrë nuk do ta harroj atë që bëre për mua vëlla, duke dalë nga autobusi, duke hequr bluzën dhe duke ma dhënë. Është një ëndërr e bërë realitet”, ka shkruar Kastrati.

Dhurimi i fanellës nga Saka ka bërë që Kastrati të bëhet tani shumë i kërkuar në rrjetet sociale.

Është vet Kastrati, i cili ka dërguar edhe fotografi nga biseda të ndryshme me tifozët të Arsenalit nëpër botë, të cilët i kërkojnë ta blejnë fanellën apo edhe ta dinë çmimin.

Më poshtë keni disa nga fotografitë e bisedave të tij me tifozët që i kërkojnë fanellën e Sakas. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version