Trajneri i Aston Villas, Steven Gerrard ka vënë në pikëpyetje cilësinë në mesfushën e Liverpoolit, teksa ka treguar se çfarë i mungon ish-klubit të tij.
Gerrard i ka kërkuar Liverpoolit të nënshkruajë me një mesfushor pas humbjes së tyre në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Real Madridit .
Legjenda e Reds beson se ai transferim duhet të jetë një mesfushor që shënon gola, pasi ky lloj i lojtarit po i mungon klubit nga Anfield.
“Liverpooli, nëse mendoni për pesë, gjashtë, shtatë vitet e ardhshme, ata do të kenë nevojë për një mesfushor, një numër tetë, që mund të shënojë gola, që mund të ketë numra dy shifror”, ka thënë fillimisht Gerrard.
“Ata varen shumë nga treshja e sulmit – ose në pesëshen e përparme nëse përfshihen edhe Diogo Jota dhe Roberto Firmino”.
“Por, ju gjithmonë keni nevojë për një nga ata mesfushorë që do të futen në fushë dhe do t’ju bëjnë gola”, përfundoi legjenda e Liverpoolit. /Telegrafi/