Tyson Fury nuk ka marrë asnjë ofertë për t’u përballur me Anthony Joshuan gjatë këtij viti – ka bërë të ditur promovuesi i tij, Frank Warren.
Kampioni i unifikuar botëror në kategorinë e peshave të rënda e ka caktuar datën 13 prill në Wembley për duelin e tij të radhës, por ende nuk është caktuar kundërshtari i tij.
Dhe derisa të zyrtarizohet emri i sfiduesit për titujt WBA, WBO, IBF dhe IBO – mediat vazhdojnë të spekulojnë për boksierin që do të hyjë në ring me Joshuan.
Britaniku dëshiron që kampioni i WBC-së, Deontay Wilder, të jetë kundërshtari i tij, porse në listë janë edhe Dillian Whyte dhe Tyson Fury.
Madje promovuesi i AJ, Eddie Hearn, ka thënë se gjasat janë reale që të ndodhë një duel ndërmjet dy britanikëve.
Megjithatë, Warren i ka zbehur këto gjasa duke theksuar se nuk ka pasur asnjë angazhim në lidhje me arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
“Nuk kemi kurrfarë bisedimesh me Anthony Joshuan, sepse askush nuk ka kontaktuar neve. Ne vetëm po i lexojmë këto gjëra, se Hearn ka thënë që ka biseduar me të (Furyn) dhe i ka shkruar në Twitter”.
“Siç po qëndrojnë gjërat tash, ne nuk kemi pasur asgjë sa i përket komunikimit. Aspak”, ka deklaruar Warren për IFL TV.
“Por, fundja, nëse (ekipi i Joshuas) duan të bëjnë diçka, e kanë numrin tonë, vetëm le ta marrin telefonin, sepse nga aty mund të fillojë. Pastaj do t’ia transmetojmë bisedimet Tysonit për të marrë një vendim”.
“Dua të them se do të ishte një duel i shkëlqyer, mirëpo aktualisht jemi të fokusuar te (rimeçi ndaj) Deontay Wilder, por përballja ndaj tij apo Joshuas është e madhe. Nuk ka dyshim për këtë”, ka shtuar Warren. /Telegrafi/