Portali Telegrafi ka zgjedhur “PATOS FORMACIONI I JAVËS“, i cili është i vlefshëm për xhiron e parë të Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
Të martën mbrëma ka përfunduar me sukses xhiro e parë e ndeshjeve të grupeve në Euro 2024, ku shumica e kombëtareve të mëdha kanë marrë rezultate pozitive.
Megjithatë, ka pasur disa futbollistë, të cilët kanë dhuruar paraqitje brilante, duke ndihmuar ekipin e tyre me gola, asistime, por edhe paraqitje të mira individuale në portë dhe mbrojtje.
Telegrafi edhe kësaj radhe sikurse në çdo Kampionat Evropian dhe Botëror ka vazhduar me zgjedhjen e formacionin më të mirë, duke filluar nga ndeshjet e xhiros së parë.
Në portë, Unai Simon kishte një paraqitje thuajse të përkryer ndaj Kroacisë, duke mbajtur portën e paprekur, por edhe duke pritur një penallti.
Mbrojtja formohet nga Samet Akaydin, i cili ishte vendimtar në fitoren e Turqisë, duke larguar disa gola të sigurta, Riccardo Calafiori që shkëlqeu me Italinë ndaj Shqipërisë dhe Nathan Ake, i cili përveç paraqitjes së mirë në mbrojtje me Holandën, bëri edhe dy asistime.
Në mesfushë, pozitat anësorë i kanë siguruar Dani Carvajal dhe Michel Aebischer që me Zvicrën bëri dy asistime, ndërsa në qendër më të mirët ishin shqiptari Granit Xhaka dhe Fabian Ruiz i Spanjës me një gol dhe një asistim.
Pozita e qendërsulmuesit është rezervuar për Kai Havertz, i cili shënoi dhe asistoi ndaj Skocisë, ndërsa pas tij nga një vend e kanë fituar dy yjet e mëdha, Jude Bellingham dhe Jamal Musiala.
Formacioni i xhiros së parë (3-4-2-1): Simon (Spanjë); Akaydin (Turqi), Calafiori (Itali), Ake (Holandë); Carvajal (Spanjë), Xhaka (Zvicër), Ruiz (Spanjë) Aebischer (Zvicër); Bellingham (Angli), Musiala (Gjermani); Havertz (Gjermani); /Telegrafi/