Site icon Telegrafi

FIFA publikon renditjen e re – ‘fluturojnë’ Spanja, Zvicra dhe Turqia, bien Belgjika dhe Portugalia

FIFA ka publikuar përditësimin e fundit të renditjes së ekipeve kombëtare, ku Argjentina vazhdon të mbetet e para, por ka pasur edhe shumë ndryshime në top dhjetëshe dhe në listën e përgjithshme.

Tre gara kontinentale dhe një mori miqësoresh ndërkombëtare janë zhvilluar në qershor dhe korrik, me jo më pak se 125 ndeshje të konkurruara në të gjithë globin, duke gjeneruar shumë lëvizje në edicionin e fundit të renditjes botërore për të FIFA-s për meshkuj.

Pasi mbrojti me sukses trofeun e saj të Copa America, Argjentina shtrëngon kontrollin e saj në krye të renditjes. Franca e dyta është ende sfiduesja e tyre më e afërt, pasi arriti në gjysmëfinale të EURO 2024.

Kampionia e sapokurorëzuar e Evropës, Spanja ka pasur ngjitje për pesë pozita, duke u renditur tani e treta, ndërsa finalistja e mposhtur Anglia renditen e katërta, pasi ka tejkaluar Brazilin në pozitën e pestë.

Belgjika ka rënë për tri pozita dhe tani gjendet jashtë pesëshes së parë, me Holandën në vendin e shtatë dhe Portugalinë që renditet në pozitën e tetë pas rënies për dy pozita.

 

Kolumbia renditet e nënta pas ngritjes për tri pozita dhe tani mund të gjejë ngushëllim në rikthimin e saj të mirë në dhjetëshen e parë, pavarësisht humbjes së ngushtë ndaj Argjentinës në Copa America, ndërsa Italia e 10-ta qëndroi ashtu siç ishte.

Diku tjetër në top 50, dy skuadra janë ngjitur në mënyrë spektakolare në renditje pasi kanë kaluar çerekfinalen e garave të tyre përkatëse kontinentale – Turqia renditet e 26-ta pas ngritjes për 16 pozita dhe Venezuela e 37-ta pas rritjes më të madhe për 17 pozita.

Përparime të tjera të dukshme u bënë nga Panamaja (e 35-ta, 8 lart) dhe Kanadaja (e 40-ta, 8 lart), të cilët të dyja performuan në mënyrë të admirueshme në Copa America, por edhe nga Zvicra e cila u ngjit për katër vende dhe tani renditet e 15-ta.

Shqipëria ka mbetur në pozitën e 66-të, ndërsa Kosova ka rënë për një pozitë dhe tani renditet e 106-ta. /Telegrafi/

 

Exit mobile version