Ish-ylli i Barcelonës dhe Chelseat, Cesc Fabregas ka shprehur zhgënjimin e tij në ish-trajnerin Pep Guardiola, ndërsa zbuloi se ai ende e konsideron Jose Mourinhon një mik edhe sot e kësaj dite, pasi e ndihmoi shumë në karrierë.
Guardiola e ktheu Fabregasin në Camp Nou nga Arsenali më 2011, pasi e kishte parë atë të bëhet njëri nga mesfushorët më të mirë në Evropë gjatë kohës së tij në Emirates.
Barca vazhdoi të fitojë katër trofe të mëdha gjatë sezonit të parë të plotë të spanjollit në klub, por në fund humbi trofetë e La Liga dhe Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, dyshja në fjalë nuk kanë raporte të mira dhe ka lënë të kuptohet se marrëdhënia e çiftit është dëmtuar dhe nuk ka arritur të riparohet.
“Jo, jo, me Pep nuk kemi më asgjë”, ka thënë fillimisht Fabregas kur u pyet nëse ai ka qenë në kontakt me Guardiola gjatë tetë viteve të fundit.
“Nuk e di nëse zhgënjimi me Pep është i ndërsjellë. Gjërat ndodhën, por unë preferoj të mos flas për këtë. Pep ishte idhulli im që kur isha fëmijë. Është prej tij që kam mësuar më shumë, mbase, që kur isha katër vjeç deri tani”.
Fabregas përfundimisht u largua nga Barca për t’u bashkuar me Chelsean në 2014, dhe fitoi titullin e tij të parë në Ligën Premier nën drejtimin e Mourinhos.
Për dallim nga Guardiola, 33-vjeçari ka lavdëruar portugezin për ndihmën e tij për të ri-zbuluar formën më të mirë në Stamford Bridge, ndërsa e cilëson ende mik.
“Mourinho më frymëzoi më shumë kur u largova nga Barca. Ai më tha që ne i kishim problemet në fushë kur ai ishte në Chelsea dhe unë isha në Arsenal dhe pastaj kur ai ishte trajner në Real Madrid dhe unë isha në Barcelona, por që për të, gjithçka përfundoi këtu”.
“Ai më tregoi për projektin e tij. Duhej të shkoja atje ku mendoja se do të bëja më mirë, vendimi ishte i imi dhe nuk varej nga ajo që njerëzit thanë. Unë i dhashë përparësi aspektit profesional, dhe sot ende i shkruaj dhe e konsideroj mik”.
“Ai më ndihmoi shumë në një kohë të vështirë në karrierën time dhe ndoshta unë kam luajtur një nga sezonet e mia më të mira me të”, përfundoi spanjolli. /Telegrafi/