Telegrafi

Eto’o këshillon Barcelonën: Mane dhe Aubameyang nuk i përshtaten sistemit të klubit

Legjenda e Barcelonës, Samuel Eto’o ka paralajmëruar ish-klubin e tij të mos ngutet për një veprim për kapitenin e Arsenalit, Pierre-Emerick Aubameyang dhe yllin e Liverpoolit, Sadio Mane.

Barcelona është e interesuar të përforcojë skuadrën e tyre këtë verë dhe shumë emra lojtarësh janë lidhur me një transferim në Camp Nou.

Disa nga ta kanë qenë edhe Aubameyang dhe Mane, por Eto’o këmbëngul se këta dy lojtarë nuk do të përshtaten me sistemin e Barcelonës.

“Në hapësirë, Mane dhe Aubameyang ju vrasin”, ka thënë fillimisht Eto’o për gazetën spanjolle AS.

“Por te Barça, keni nevojë për lojtarë që mund të lëvizin më shumë nëpër hapësira të vogla”.

“Unë jam duke menduar për lojtarë që mund të përshtaten te Barça dhe nuk është e lehtë të gjesh një…”, përfundoi sulmuesi kamerunas.

Një emër tjetër shumë i lidhur me një transferim te katalunasit është edhe ylli argjentinas i Interit, Lautaro Martinez. /Telegrafi/