Site icon Telegrafi

Ekzekutimi i pagesave nga Trusti, rrëzimi i Qeverisë Hoti, deklaratat e partive për datën e zgjedhjeve dhe masat e reja antiCOVID-19 – top ngjarjet e javës që lamë pas

Javën që lamë pas ka nisur ekzekutimi i pagesave për 10 përqindëshin, ndërsa Gjykata Kushtetuese po ashtu nxori aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Pas këtij aktgjykimi të Kushtetueses, javën e kaluar ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani takoi liderët e partive politike në Kosovë për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

Po javën që lamë pas Qeveria vendosi për masat e reja antiCOVID-19, ndërsa pavarësisht se shteti i Kosovës nuk ka siguruar ende vaksinën antiCOVID-19, Serbia ka nisë vaksinimin në veri të vendit për qytetarët serbë.

Trusti: Sot fillon ekzekutimi i pagesave për 10 përqindëshin

Më 21 janar, Fondi Pensional i Kursimeve ka bërë të ditur se ka filluar ekzekutimin e pagesave për aplikimet e realizuara më datë 11 dhjetor 2020, për të vazhduar më pas pagesat për aplikimet e realizuara prej 12 deri 17 dhjetor 2020.

Për informim, më 11 dhjetor kanë aplikuar 219,729 kontribuues dhe për ta janë paguar rreth 112.2 milionë euro.

Ndërsa, për aplikimet e realizuara prej 12 deri 17 dhjetor 2020 pëtu përfitues janë 137,543 kontribuues me rreth 58.3 milionë euro.

Shuma totale e aplikimeve në 7-ditëshin e parë, prej 170.5 milionë euro, është e përbërë nga: kontributet në masën 137.7 milionë euro dhe fitimet nga investimet në vlerë 32.8 milionë euro.

Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi, vendi shkon në zgjedhje

Më 21 janar Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh, transmeton Telegrafi.

“Në bazë të nenit 71.1 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me nenin 29.1 (q) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, personi i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tri (3) vitet e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitoj mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vjosa Osmani takon partitë politike për datën e zgjedhjeve

Një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani ka takuar përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar rreth datës së zgjedhjeve.

Kurti: Jemi të interesuar për datë sa më të hershme për mbajtjen e zgjedhjeve, vendi duhet të nxirret  nga kriza e shumëfishtë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani tha se kanë biseduar lidhur me zgjedhjet e parakohshme në vend, ndërsa tha se si subjekt politik janë të interesuar për një datë sa më të hershme.

Kurti tha se është humbur shumë kohë dhe duhet një qeveri e re dhe kompetente që e nxjerr Kosovën nga kriza e shumëfishtë.

“Ky ishte një këshillim paraprak dhe ne shprehëm interesim tonë si subjekt politik që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të parakohshme të kemi një datë që në harkun kohor të jetë sa më e hershme… Ta marrim njëherë aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur na vie ai aktgjykim i plotë si palë që jemi në këtë çështje…”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

LDK-ja e gatshme për zgjedhje, Abrashi përmend 7 shkurtin si datë të mundshme

Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës gjatë takimit që zhvilloi me u.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se LDK-ja është e gatshme për zgjedhje.

Abrashi në një prononcim për media ka thënë se gjatë takimit ka biseduar edhe për miratimin e buxhetit të vitit 2021, transmeton Telegrafi.

“Shpesh herë kemi thënë që zgjedhjet duhet të mbahen në janar. Edhe më herët kemi treguar që jemi të gatshëm për zgjedhje. Duhet të gjejmë fuqi politike që të miratojmë buxhetin për vitin 2021. Kjo ka rëndësi dhe peshë të madhe për secilën familje në Kosovë sepse ky buxhet për vitin e ardhshëm është i lidhur dhe për Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, edhe me pagat dhe me sistemin social dhe me pensionistët. Dhe gjithsesi nëse na duhet si shtet dhe me blerjen e vaksinave. E mira e kësaj është që aktgjykimi i plotë ende nuk është bërë publik në gazetën zyrtare dhe kemi ende kohë për të miratuar buxhetin për vitin e ardhshëm”, ka thënë Abrashi.

Ndërsa, sipas tij, si datë e mundshme për zgjedhjet në vend mund të jetë 7 shkurti. “Datat që sot i kam përmend ka qenë data 7 shkurti, pra 40 ditë pasi të kalojë buxheti”, theksoi Abrashi.

Krasniqi pas takimit me Osmanin: Fundi i janarit, datë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas takimit konsultativ me u.d e presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se fundi i janarit është datë e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Ishte një takim konsultativ, dhe shpreha qëndrimin që ne presim që data e zgjedhjeve të shpallet sa më shpejt të jetë e mundur brenda afatit.

Fundi i janarit është datë e përshtatshme. Besojmë që është e domosdoshme të mos humbet kohë pasi që edhe viti i ardhshëm po vjen me shumë pikëpyetje sa i përket funksionimit të institucioneve dhe krizës ekonomike”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se si PDK e ka njoftuar Osmanin që e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi që siç u shpreh ai ka kohë që kanë kërkuar që të mblidhen parti parlamentare për të shpërndarë këtë legjislaturë.

Tahiri: Kosovë urime zgjedhjet, do të kalojmë mirë pavarësisht pandemisë

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri pas takimit u.d presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani tha se beson se edhe në zgjedhjet e reja do të kalojnë mirë pavarësisht pandemisë.

“Temë diskutimi ishin zgjedhjet dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Diskutuam për kohën që këto zgjedhje të ndodhin. Në çfarë do situate kur vendimi transferohet të qytetarët ajo është një festë për të gjithë ne. Kosova ka dëshmuar stabilitet institucional dhe dinë të organizojë zgjedhje”, tha ai.

Masat e reja nga Qeveria, orari i lëvizjes zgjatet deri në ora 20:00

Qeveria në detyrë e Kosovës më 23 mars ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në bazë të këtyre masave nuk është hequr kategorizimi i komunave, por orari i lëvizjes së qytetarëve si dhe orari i veprimtarisë së lokaleve të gastronomisë është zgjatur.

“Në zonën me Operatorët ekonomik lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, Qendrat tregtare lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, Shërbimet e hotelerisë dhe gastronomisë lejohen të punojnë nga 05:00-20:00, ndërkaq pas orës 20:00 punojnë me shërbim “merr me vete” dhe “porosi me dërgesë”, Transporti publik lejohet të punoj duke shfrytëzuar deri në 50% të kapaciteteve, duke respektuar “Manualin për mbrojtjen nga përhapja e Covid-19”, thuhet në vendim.

Po ashtu sipas këtij vendimi personave mbi moshën 65 vjeç iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 6:00-10:00 dhe 16:00-19:00, ndërkaq jashtë këtij orari mund të dalin vetëm për nevoja emergjente dhe shëndetësore duke e dëshmuar me dokument përkatës nevojën për dalje jashtë këtij orari tek organi kompetent kontrollues.

Serbia nis vaksinimin në veri të Kosovës

Më 25 dhjetor, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, deklaroi se ka filluar vaksinimi i qytetarëve në veri të Kosovës me vaksinën e Pfizer që është kundër coronavirusit.

Mediat serbe, duke cituar presidentin serb, raportojnë se vaksinimi ka filluar në Leposaviq.

Sipas tyre, vaksinat e Pfizer do të merren nga personat mbi 75-vjeç dhe më pas edhe të të gjithë të tjerët.

Qeveria e Kosovës nuk ka informata si kanë hyrë vaksinat në veri të vendit

Pas deklaratës së presidentit serb, Vuçiq për vaksinimin e serbëve në veri, një ditë më pas ka reaguar Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se në bazë të  informatave nga Dogana dhe nga Policia Kufitare, nuk ka të dhëna se në rrugë zyrtare – legale, në territorin e Kosovës kanë hyrë vaksinat kundër Covid-19, për të cilat është thënë se u janë shpërndarë qytetarëve në veri të vendit, përcjell Telegrafi.

“Nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra”, thuhet në reagimin e Qeverisë.

Më tej thuhet se institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Çdo produkt mjekësor që hyn në Republikën e Kosovës duhet t’i nënshtrohet rregullave të importit, qoftë ai donacion apo import i rregullt, duke pasur autorizim- marketing për produktin, të lëshuar nga AKPPM (Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale). Nëse një produkt nuk e respekton këtë procedure të rregullt, ai konsiderohet produkt ilegal. Ndërsa organet kompetente ndërmarrin veprimet e duhura ligjore”, thuhet në njoftim.

Të premten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër coronavirusit me vaksinën Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.  /Telegrafi/

 

Exit mobile version