Site icon Telegrafi

Dy nga tri pikat e palicencuara të karburanteve në veri nuk ishin as të fiskalizuara

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ndalur veprimtarinë e tri pikave të karburantit në veri të Kosovës pasi që të njëjtat kishin rezultuar se po funksionin pa licencë e dy as nuk ishin te fiskalizuara. Policia, që ishte pjesë e aksionit tregoi se nuk patën kundërshtime gjatë mbylljes së tyre.

Një letër që i paralajmëron pronarët e biznesit se nëse e largojnë dhe rinisin punën do të përballen me ligjin.

Të njëjta janë vendosur në tri pika karburanti në veri të Kosovës dhe ata janë udhëzuar që të paraqiten në zyrat e Ministrisë së Tregtisë në Prishtinë meqenëse veprimtarinë e kanë ilegale.

Dy prej tyre janë në komunën e Zubin Potokut e një në Mitrovicën e Veriut.

Kjo u bë të martën në një aksion të Agjencisë Kosovare të Privatizimit  së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe me Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut.

“Pas vizitave dhe inspektimeve, është vërtetuar se tri pika të karburanteve nuk janë të pajisura me licencë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe dy prej tyre nuk janë as të fiskalizuara. Kjo përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit nr. 08/L-018 për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit. Mbi bazën e gjetjeve në terren, Inspektorati i MINT u ka ndërprerë veprimtarinë këtyre bizneseve, dhe si rrjedhojë e kësaj AKP do të ndërpres kontratat e qirasë”.

Si çdoherë, pjesë e aksionit për asistencë ishte edhe Policia e Kosovës por këta nuk patën nevojë për ndërhyrje se nuk pati kundërshti.

“Ne kemi pranu kërkesën për asistencë nga AKP-ja, ne kemi ofru asistencën ashtu siç është e paraparë me ligj, nuk kemi pas asnjë problem gjatë kryerjes  së detyrës tonë dhe as AKP nuk ka pas problem në kryerjen e detyrave të veta”, ka thënë Veton Elshani – Zv.Drejtor i Policisë në Veri.

Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë thënë se veprimtaria e këtyre pikave të karburanteve përbën shkelje të kontratave të qirasë me AKP-në dhe Ligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme, duke cenuar kështu sigurinë e konsumatorëve dhe të mjedisit.

Exit mobile version