Hakan Calhanoglu vazhdon të impresionojë me paraqitjet e tij të vazhdueshme në mesfushë për Interin dhe tani 29-vjeçari po tërheq interes nga disa prej emrave të mëdhenj në Ligën Premier.
Reprezentuesi turk ka marrë shumë lëvdata javët e fundit, duke përfshirë edhe trajnerin e kombëtares së Turqisë, Vincenzo Montella, i cili kohët e fundit pohoi se Calhanoglu është ‘mesfushori më i mirë në Itali, potencialisht edhe në botë’.
Ndërkohë Mario Balotelli ka thënë se Calhanoglu renditet në pesë mesfushorët më të mirë në Evropë.
Rëndësia e Calhanoglu për trajnerin Simone Inzaghi është gjithashtu e qartë, pasi ai nuk është lënë ende jashtë formacionit fillestar në asnjë ndeshje të Serie A deri më tani në sezonin 2023/24.
Vargu i paraqitjeve të tij të qëndrueshme nuk po kalojnë pa u vënë re dhe sipas Tuttosport raportet nga Turqia sugjerojnë se Liverpool dhe Chelsea, të cilëve vetë u mungojnë opsionet e mesfushës, mund të tundohen për të bërë një qasje për turkun në tregun e transferimeve.
Nerazzurrët aktualisht kanë Calhanoglu të nënshkruar me një kontratë që zgjat deri në verën e vitit 2027. /Telegrafi/