Site icon Telegrafi

Driton Kuka me mesazh emocionues pasi përfundon aventura e Kosovës në Tokio: Po më duket si në ëndërr me dy të arta, ne gëzohemi e qajmë së bashku

Ka përfunduar aventura fantastike e ekipit olimpik të Kosovës në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.

Xhudo si gjithmonë, ka qenë krenaria e vendit tonë pasi kishte pesë garues, ku natyrisht nuk ka munguar edhe suksesi.

Kosova ka siguruar dy medalje të arta në ‘Tokio 2020’, në garat e xhudos me Distria Krasniqin dhe Nora Gjakovën që i fituan ato.

Distria Krasniqi fillimisht fitoi medaljen e artë në kategorinë deri në 48 kilogramë, derisa suksesin e ‘Disit’ e përsëriti edhe Nora Gjakova që triumfoi në kategorinë deri në 57 kilogramë.

Në garë për medalje ishin edhe Majlinda Kelmendi, Akil Gjakova e Loriana Kuka, por për fat të keq nuk arritën të fitonin kësaj radhe medalje.

Gjithë shqiptarët anë e mbanë botës iu gëzuan këtij suksesi historik, derisa për të ka folur edhe arkitekti Driton Kuka.

Trajneri legjendar nga Kosova ka shkruar një status të gjatë në profilin e tij në Facebook, ku ka folur për këtë aventurë fantastike të Dardanëve në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’.

 

Kuka ndër të tjera ka thënë se po i duket si në ëndërr që nga pesë garues të fitojnë dy të arta, derisa medaljet janë të gjithë ekipit.

Tutje trajneri më i madh që ka pasur sporti kosovar ka shkruar qartë se ekipi që ai stërvitë gëzohen e qajnë së bashku në fitoret dhe humbjes dhe aty qëndron forca e tyre.

Postimi i plotë nga Driton Kuka, pa ndërhyrje:

Samurajët Shqiptar …

Medaljet Olimpike për popullin Shqiptar së shpejti do zbarkojnë në trojet Shqiptare

Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojëra Olimpike!

Dy Medalje të Arta!

Ende po më duket si ëndërr e mirë 5 garues e dy të arta!

Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Noren!

Ashtu siç ishte e arta e Majlindes.

Ekipi jemi ne që stërvitim,gëzohem e qajmë së bashku në fitore e humbje,aty qëndron forca jonë e madhe!

Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trajnerit,por kjo krejt është shpaguar …

2 Olimpiada 3 Medalje të Arta!

Me dhjetëra medalje Evropiane e Botërore!

Këta jemi ne!

I gëzofshim medaljet të gjithë ne,Shqiptarët kudo që jemi!

Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetra mijëra miqve.

Ata që kanë menduar që medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit,jeni mashtruar në llogari!

Spo flas më shumë për sojin e juaj se sdua ta prish festën e madhe!

E kam thanë edhe më herët

Me ujë,zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë!

Kosova mbi të gjitha …

/Telegrafi/
Exit mobile version